“Gëzuar me RTV21” duke përcjellë Vitin e Vjetër dhe duke uruar Vitin e Ri

Ndërrimi i motmoteve sjell gjithmonë reflektim, shpresë dhe pritje për më të mirën. Në këtë frymë, Radiotelevizioni 21, si një nga adresat më të besuara mediale për shikuesit shqiptarë, hap dyert e festës me një program të ndërtuar me kujdes, ndjeshmëri dhe përkushtim profesional.
Nga 31 dhjetori 2025 deri më 4 janar 2026, RTV21 sjell një program të pasur me muzikë, argëtim, emisione speciale dhe përmbledhje vjetore, duke përcjellë Vitin e Vjetër dhe duke uruar Vitin e Ri me energji pozitive dhe atmosferë kremteje.
Festa në RTV21 nis herët. Që nga ora 16:00, ekrani gjallërohet me edicionin festiv të emisionit “Bon Bon”, nën moderimin e Edona Demiqi Haxhiut. Kjo pasdite i kushtohet rrëfimeve dhe kujtimeve të personaliteteve të medias kosovare, të cilët rrugëtimin e tyre profesional e kanë nisur pikërisht në Radiotelevizionin 21. Është një kthim simbolik në fillime, një përkujtim i rrënjëve dhe një dëshmi e vazhdimësisë mediale.

Më pas, vëmendja zhvendoset te më të vegjlit. Programi festiv për fëmijë, i realizuar me shumë dashuri nga Aferditë Duraku, sjell ngjyra, buzëqeshje dhe emocione të pastra, duke e bërë ndërrimin e viteve një përjetim të veçantë edhe për brezat më të rinj.
Ndërsa mbrëmja afrohet drejt kulmit, RTV21 sjell super programin e ndërrimit të motmoteve të quajtur “Nga ftohtë 2025 në Nxehtë 2026”, të udhëhequr nga Granit Miftari. Në këtë natë simbolike, skena mbushet me disa nga emrat më të njohur të estradës shqiptare, të cilët me interpretime LIVE, këngë dhe energji festive, e shndërrojnë pritjen e Vitit të Ri në një spektakël të vërtetë televiziv.
Netët festive marrin një dimension të ri me emisionin “Zëri”, një projekt i ri i Radiotelevizionit 21, ku për herë të parë prezantohen këngë të reja me tekste të shkruara nga Aferdita Saraqini Kelmendi dhe të kompozuara nga mjeshtrit e muzikës shqiptare, Naim Krasniqi dhe Xhevdet Gashi. Ky format sjell një frymë të re krijuese dhe një hapësirë për vlerat e mirëfillta artistike dhe njerëzore.
Në kuadër të netëve festive, RTV21 shënon edhe 25-vjetorin e emisionit ikonik “1 Kafe me Labin” këtë vit i emëruar “Nata e Dritave” një emision jubile që bashkon në një vend emra të mëdhenj të artit dhe këngës shqipe, për të rikujtuar historinë, ndikimin dhe peshën kulturore të këtij formati që ka shoqëruar publikun ndër dekada.
Skema festive pasurohet edhe më shumë me emisionin “N’maje t’gjuhës”, nën moderimin e Xheraldina Vulës duke sjellë mysafir dhe receta te veçanta për fundvit.
Radiotelevizioni 21 sjell edhe përmbledhjet vjetore të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2025. “Kosova 2025”sjell përmbledhja e ngjarjeve kryesore që e karakterizuan skenën shoqërore e politike në Republikën e Kosovës.

Përmbledhja vjetore për sportin në Kosovë gjatë 2025-tës, vjen në RTV21 më një përmbledhje të ngjarjeve sportive.
Në kuadër të përmbledhjeve vjen edhe ajo nga bota 2025 , me ngjarjet kryesore që zunë vend në arenën ndërkombëtare.
Rezymeja e zhvillimeve të kulturës kosovare, duke përfshirë segmentet kryesore, nga arti deri te trashëgimia kulturore, lëvdatat, ngecjet, politikat, e shumëçka, nga rrëfimet e drejtuesve institucionalë, në RTV21
Programi vazhdon me blloqe muzikore nga artistë të njohur të folklorit shqiptar, të përgatitura nga Naim Krasniqi, Ilir Berani dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Netët festive në RTV21 përcillen edhe me emisionin “Lori Music Shoë”, ku Loreta Kaçka sjell muzikë festive dhe rrëfime personale nga jeta dhe karriera e saj artistike.
Po ashtu, programi festiv “Odeon Show” do të vijë i mbushur me glamur, duke u ofruar shikuesve këngë tipike të fundvitit, që krijojnë atmosferë feste dhe bashkojnë familjet e miqtë.
Përveç kësaj, këtë fundvit në RTV21 vjen edhe zëri i diasporës shqiptare përmes emisionit “Fol Shqip Show 2026”, për të vazhduar me programin “Miss Shqiptarja në Botë”.
Më tre janar listohen filmat më të shikuar të vitit 2025, në emisionin kushtuar kinematografisë, “35 milimetra”.
Por përgjatë ditëve festive, shikuesit tanë do të kenë mundësi të ndjekin edhe filma artistikë dhe përmbajtje të përzgjedhur për të gjitha moshat.
Me një program që ndërthur festën, reflektimin dhe argëtimin, Radiotelevizioni 21 vazhdon të mbetet televizioni që i jep kuptim ekranit edhe në momentet më të rëndësishme të vitit./21Media