Gjatë 24 orëve raportohet për 11 raste të dhunës në familje

11 raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit.
Kështu është bërë e ditur në raportin 24 orësh të policisë, ku rastet e dhunës janë nga: Prishtina, Fushë Kosova, Parteshi, Ferizaj, Shtime, Prizreni, Peja, Istogu, Gjakova dhe Malisheva.
Në Prishtinë një femër ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga babai i saj. Pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti  vazhdon në procedurë të rregullt.

Një grua nga Fushë Kosova ka raportuar se të premten pas një mosmarrëveshje verbale që kishte pasur me burrin e saj, ky i fundit e ka kanosur verbalisht atë. Viktima është strehuar te familjarët e saj. I dyshuari gjendet në arrati.

Për dhunë fizike ndaj gruas është arrestuar edhe një burrë nga Parteshi, i njëjti nuk e kishte respektuar as urdhrin e gjykatës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Nën ndikim të alkoolit dje një burrë nga Ferizaj e ka sulmuar djalin e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Shtime është arrestuar një burrë, pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me babain e tij rreth blerjes së një veture, e kishte kanosur verbalisht atë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Një grua nga Prizreni kishte raportur dje se në vazhdimësi ka pasur presion psikik dhe fizik nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Nuk raportohet për lëndime. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Pejë është arrestuar një burrë pasi që në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Dje një grua nga Istogu është sulmuar fizikisht dhe është goditur me grusht nga burri i saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, viktima është dërguar në strehimore.
Dhunë psikike ndaj një femre kanë ushtruar edhe dy meshkuj nga Peja, të cilët janë arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, dje në Gjakovë është arrestuar një femër, pasi që e njëjta kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.
Në Malishevë dje janë arrestuar babë e bir, pasi që të njëjtit kanë ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare duke kërkuar nga ajo që të largohej nga shtëpia e përbashkët ku ata ishin duke jetuar. Viktima është dërguar në strehimore. Me urdhër të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari i dytë është liruar në procedurë të rregullt./21Media
 

Back to top button