​Gjendet i gjallë shtetasi i Shqipërisë i zhdukur në Jezercë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është gjetur personi i cili ishte raportuar i zhdukur në fshatin Jezercë të Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë, më 21 janar 2026, rreth orës 05:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar informacion për zhdukjen e S.P., 30 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja.

Bazuar në informacionet fillestare, i njëjti dyshohej se kishte marrë një veturë BMË me targa shqiptare dhe ishte nisur në drejtim të Ferizajt, ku dyshohej se kishte shkaktuar edhe një aksident trafiku në fshatin Jezercë.

Menjëherë pas raportimit, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal dhe Forenzikën Rajonale, kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, përfshirë kontrollimin e kamerave të sigurisë në zonë. Po ashtu, janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK në Prishtinë dhe në disa ordinanca private, mirëpo nuk ishte raportuar asnjë person i lënduar.

Në kërkim të personit janë angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës, si dhe Brigada e Zjarrëfikësve, ndërsa paralelisht janë zhvilluar kërkime intensive në terren.

Ndërkohë, sot më 23 janar 2026, rreth orës 15:30, një qytetar ka njoftuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”. Pas verifikimeve, është konstatuar se bëhej fjalë për personin e zhdukur, S.P., i cili është transportuar menjëherë në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe qytetarët e angazhuar në këtë rast, duke veçuar qytetarin B. Osmani, 54 vjeç nga Ferizaj, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në gjetjen e personit të zhdukur.

Policia ka njoftuar se për informata të tjera do të publikohet raport shtesë.

Back to top button