Gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit të plagosur në Istog, e rëndë

16-vjeçari i plagosur ka përfunduar operimin dhe nga Emergjenca është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK).
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar drejtori i Emergjencës, Naser Syla. Ai tha se operimi ka përfunduar, mirëpo gjendja e 16-vjeçarit vazhdon të jetë e rëndë.
“Operimi ka përfundu. Pacienti është dërguar për trajtim në njësi intensive në Pediatri. Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë”, tha Syla.
Në anën tjetër, lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për portalin rtv21.tv se e ka arrestuar një zyrtar policor në Dubravë të Istogut, i cili dyshohet se e plagosi aksidentalisht në kokë të miturin, të cilin e ka familjar.
“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare. Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, ka thënë zëdhënësi i IPK-së./21Media