Gjeneral Harris mirëpret arritjet e FSK-së
Gjenerali shprehu gatishmërinë për të përkrahur FSK-në
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti në takim pune komandantin e Gardës Kombëtare të Ohajos së SHBA-ve, gjeneralmajor John Harris, i shoqëruar nga atasheu ushtarak amerikan pranë ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, kolonel Jeffery Fischer si dhe oficerë tjerë të lartë.
Gjeneral Rama me këtë rast e ka falënderuar gjeneralin Harris për kontributin që Ushtria Amerikane është duke dhënë në kuadër të KFOR-it për 18 vjet me radhë, në mënyrë që në Kosovë të ketë një ambient të qetë dhe të sigurt.
Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për kontingjentin amerikane nga kampi ushtarak Bondsteel për përkrahjen e dhënë FSK-së në përgjithësi dhe në veçanti për zhvillimin e kapaciteteve trajnuese të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së (TRADOK) në Ferizaj.
Gjatë takimit komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka njoftuar gjeneralin Harris edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), përgatitjet e bëra, planifikimet dhe procedurat që janë zhvilluar deri në sot, si nga ministria ashtu edhe në nivel qeveritar e shtetërorë.
Me këtë rast ai e njoftoi gjeneralin Harris edhe me përqindjen e lartë të numrit të komuniteteve pakicë që janë duke shërbyer në radhët e FSK-së si dhe me aktivitetet konkrete që janë duke u bërë për inkuadrimin e sa më shumë pjesëtarëve të rijnë të komuniteteve pakicë.
Gjeneral Harris është ndarë i kënaqur me arritjet e FSK-se sidomos me zhvillimin e pjesëtarëve të saj.
“Është mbresëlënëse që pjesëtarët e FSK-së janë shumë të suksesshëm në shkollat dhe kurset ndërkombëtare ku po marrin çmime të larta për performancën e shkëlqyer”, tha ai.
Po ashtu, gjenerali Harris shprehi gatishmërinë për të përkrahur FSK-në në zhvillimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të saj./21Media