Gjeneva mund të presë takimin Putin-Zelensky, Zvicra ofron imunitet për pjesëmarrje në konferencën e paqes

Zvicra do t’i japë “imunitet” presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht faktit se ai është paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, me kushtin që ai të shkojë “për një konferencë paqeje”, siguroi sot Ministri i Jashtëm zviceran.
Ministri Ignazio Cassis, konfirmoi këtë mëngjes se vendi i tij mund të organizojë takimin, duke u mbështetur tek roli i veçantë i Zvicrës dhe statusi i Gjenevës si selia evropiane e OKB-së.
Pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, Macron deklaroi se samiti duhet të mbahet në një “vend neutral, ndoshta në Zvicër – unë po shtyj për Gjenevën – ose në një tjetër shtet.” Theksoi ai duke shtuar se “nuk është vetëm një hipotezë, por vullnet i përbashkët i liderëve.”
Cassis la të kuptohet se mund të gjendet një rrugëdalje përmes imunitetit të përkohshëm, me qëllim që të mundësohen bisedimet e paqes.
Samiti i mundshëm në Gjenevë shihet si një hap i madh diplomatik, nëse arrihet të realizohet, duke vendosur Zvicrën sërish në qendër të skenës ndërkombëtare si ndërmjetëse neutrale.