Gjermania me masa të reja kundër koronavirusit

1 min read

Qeveria gjermane të mërkurën tha se masat themelore të koronavirusit do të mbeten në fuqi gjatë vjeshtës dhe dimrit të ardhshëm, kur ekspertët presin që rastet e COVID-19 të rriten përsëri.

Maskat dhe paraqitja e provave të një testi negativ të koronavirusit do të jenë të detyrueshme nga tetori deri në fillim të prillit në spitale, në shtëpitë e kujdesit dhe institucione të ngjashme me njerëz të cenueshëm, transmeton rtv21.tv.

Pasagjerëve në aeroplanë dhe ata që udhëtojnë me tren dhe autobus në destinacione të gjata, po ashtu do t’iu kërkohet që të mbajnë maska gjatë kësaj periudhe.

Sidoqoftë, 16 landet e Gjermanisë kanë autoritetin të miratojnë rregullat e tyre në varësi të asaj se sa rëndë prek virusi zonat e tyre.

Qeveria gjithasht mund të vendosë të kërkojnë maska në transportin publik lokal, në shkolla për nxënësit në klasën e pestë e lart, dhe në ngjarjet publike të brendshme.

Objektet e komunitetit si shkollat, burgjet ose strehimoret e azilkërkuesve mund të zbatojnë përsëri testime të rregullta nëse numri i rasteve COVID-19 rritet, thanë ministrat e shëndetësisë dhe drejtësisë së Gjermanisë në një deklaratë të përbashkët.

Qeveria planifikon gjithashtu një fushatë vaksinimi vjeshte.

Rregulloret e reja duhet të shkojnë në kabinet dhe parlament për miratim./21Media