Gjermania ndalon udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuar

 

Gjermania po vendos një ndalim të përkohshëm për të gjithë udhëtarët që mbërrijnë nga Britania e Madhe përveç banorëve të saj për shkak të shqetësimeve për përhapjen e një varianti Covid të zbuluar së pari në Indi.

Të premten Instituti Robert Koch (RKI) klasifikoi Mbretërinë e Bashkuar si një ‘zonë shqetësuese e variantit indian’.

Personat që lejohen të hyjnë në Gjermani do të izolohen për dy javë edhe nëse testohen negativisht për Covid-19, transmeton rtv21.tv.

Agjencia shëndetësore kishte zhvendosur Mbretërinë e Bashkuar në kategorinë e vendeve ‘të rrezikut’ një javë më parë pas shpërthimeve në disa zona të lidhura me variantin indian.

Por, për shkak të rasteve të Covid në Mbretërinë e Bashkuar në rritje me më shumë se 160 përqind në një javë, RKI njoftoi të premten se statusi i rrezikut të Britanisë do të ndryshojë.

Nga mesnata e së dielës vetëm shtetasit ose personat gjermanë me leje qëndrimi do të lejohen të hyjnë në vend kur mbërrijnë nga Britania.

Ndërsa Britania e Madhe tani është klasifikuar si një “zonë e variantit të virusit”, udhëtarët që hyjnë në Gjermani do të duhet të testohen para nisjes për në Gjermani dhe menjëherë të hyjnë në një karantinë 14-ditore pas mbërritjes edhe nëse janë plotësisht të vaksinuar.

Ndalimi nuk zbatohet për njerëzit në transfertat e fluturimit përmes Gjermanisë që nuk largohen nga aeroporti./21Media

Back to top button