Gjermania shton presionin për vaksinimin e qytetarëve

Qeveria gjermane dhe liderët e landeve njoftuan përmes një videokonference se janë dakorduar të rrisin presionin për vaksinimin, ndërsa vala e katërt e pandemisë thuhet se do përfshijë vendin në vjeshtë.
“Lajmi i mirë është se vaksina ka ndikim shumë pozitiv sa i përket parandalimit të sëmundjes së rëndë apo vdekjes nga Covid-19. Lajmi i keq është se ritmi i vaksinimit është ngadalësuar. Prandaj u dakordësuam të shtojmë përpjekjet për rritje të vaksinimit në nivel federal dhe landesh”, deklaroi Merkel.
Merkel tha se duke nisur nga 11 tetori, testet e koronavirusit nuk do të jenë më falas për personat që refuzojnë vaksinën, me përjashtim të fëmijeve dhe grave shtatzëna. Nga 23 gushti, qytetarëve do t’u kërkohet të provojnë se janë të vaksinuar, kanë test negativ apo certifikatë shërimi nga Covid-19, për të vizituar vende si restorantet, qendrat e kujdesit shëndetësor, kisha apo palestrat.
“Ata që janë vaksinuar nuk do të duhet të testohen më, dhe sigurisht që do të trajtohen ndryshe nga të pavaksinuarit, nëse infektimet rriten më tej. Nuk mund të lejojmë që sistemi shëndetësor të mbingarkohet sërish”, shtoi kancelarja Merkel.
Deri më tani 55.1% e popullsisë gjermane janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit./21Media

Back to top button