Kaloni te përmbajtja kryesore

“Do e dorëzoj mandatin e deputetit”, Gjini: Nuk e çoj Gjakovën në zgjedhje për deputet

(Lajm i përditësuar)

“Do e dorëzoj mandatin e deputetit”, Gjini: Nuk e çoj Gjakovën në zgjedhje për deputet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve do ta dorëzojë mandatin e deputetit dhe do të përqendrohet në përfundimin e mandatit të tij si kryetar i Gjakovës.

“Në momentin që certifikohen rezultatet, e dorëzoj mandatin e deputetit dhe mbes kryetar i Gjakovës. Dua me përfundu mandatin në Gjakovë, përveç nëse ndryshojnë rrethanat seriozisht, sepse e kam bërë një premtim që nuk e çoj Gjakovën në zgjedhje për me u bë deputet, nuk e çoj Gjakovën në zgjedhje për me u bë ministër. E çoj Gjakovën në zgjedhje vetëm nëse qytetari i Kosovës beson që vetëm unë mund t’ia tregoj rrugën e drejtë. Nuk e di se kur do të ndodhë, por e di që ajo ditë është e pashmangshme, datën nuk mundem me ia tregu sot”, tha Gjini.


Gjini: Nuk i besoj Gërvalles për Byronë e Konfiskimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini në ”Click” të RTV21 ka kritikuar ashpër proceset dhe nismat institucionale në vend, duke shprehur mosbesim ndaj, siç tha ai, mënyrës se si po funksionojnë disa prej tyre.

“Hiç kurgjo nuk besoj që është pastër e drejtë, është pështjellim gjithçka. A po kujtoni që po i besoj Gërvallës për Byronë e Konfiskimit? Këta kurgjo nuk bëjnë për Kosovën. Çka do që bëjnë, e bëjnë kundër dikujt. Në Kosovë duhet dikush që ia don të mirën vendit”, tha Gjini.

Ai shtoi se, sipas tij, qytetarëve duhet t’u thuhet qartë se si do të funksionojë kjo strukturë.

“Kjo është, du me i thonë popullit të Kosovës që Byroja për Konfiskimin e Pasurisë ka me ia konfisku pasurinë ish-opozitarëve”, u shpreh Gjini.


“Nuk ka votuar diaspora ashtu siç kanë dalë rezultatet”, Gjini: Dikush ka marrë lekë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka ngritur dyshime për procesin e votimit të diasporës, duke pretenduar se, sipas tij, ka parregullsi në mënyrën e organizimit dhe numërimit të votave.

“Janë duke i patronazhu votat e diasporës, nuk ka votu diaspora ashtu qysh kanë dalë rezultatet. Ta keni të saktë këtë punë, pyetni diasporën, atje ka fantastik. Po ju tregoj që sot na dëshmojnë se vota është patronazhu. Çka do të thotë kjo: kanë shku, ju kanë mbledh fletëvotimet një grupi të caktum të komunitetit në diasporë, e dikush ka dhënë me vullnet, dikush i ka marrë do lekë. Nuk është e vërtetë që diaspora me këtë përqindje mendon që njerëzit që duan veç për veti sot duan me qenë në pushtet”, tha Gjini.


”Kosova ka mbërritur aty ku ka dashur Serbia”, Gjini me akuza për qeverinë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e akuzuar për dobësim të pozitës së Kosovës në disa fusha strategjike.

“Kosova ka mbërritur ekzaktësisht aty ku ka dashur Serbia, duke cenuar marrëdhëniet me Amerikën. Kosova ka mbërritur aty ku Serbia ka dashur të dështojë në përpjekjet për integrimin e pakicave. Ne po tregojmë një pjesë të qytetarëve që thonë ‘nuk e duam shtetin e Kosovës’”, tha Gjini ndër tjera.


”Njerëzit janë duke jetuar gjithnjë e më keq”, Gjini paralajmëron protesta

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se zhvillimet e fundit ekonomike dhe politike në Kosovë nuk përjashtojnë mundësinë e protestave në Kosovë.

“Me rrjedhën që e ka marrë ekonomia dhe politika e Kosovës nuk përjashtohet protesta. AAK nuk kërkon kauza, nuk jemi parti që nxit padëgjueshmëri qytetare. Në këto raste, janë disa vija të holla që e ndajnë durimin e njerëzve që janë duke jetuar gjithnjë e më keq dhe, në krahasim me vendet e rajonit, jemi duke degraduar edhe më tepër. Distanca në standardin e jetesës mes Kosovës dhe vendeve të rajonit po rritet”, tha Gjini.

Ai shtoi se, nëse vendimet e Qeverisë prekin interesat strategjike të vendit, do të ketë edhe reagim qytetar.

“Nëse refuzimi i gazit amerikan ka me qenë afër definitiv nga kjo qeveri, Ardian Gjini ka me qenë i pari që ka me dalë në rrugë, sepse nuk ka me pas më dilema. Nëse vazhdohet në këtë drejtim, fëmijët tanë kanë me pagu çmim me dekada e më shumë”, tha Gjini.

Tutje Gjini shtoi “Nëse Kosova ka me rreziku synimin e vet strategjik që nga 1994 nuk mundem me qenë indiferent unë, si politikan apo si qytetarë do të dalë në rrugë.”


Gjini: Nëse Kurti mendon se po na lodh neve, ai po e lodh veç vetën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini në ”Click” të RTV21 ka komentuar qasjen e Albin Kurti, duke thënë se nëse ai mendon se me veprimet e tij mund t’i lodhë kundërshtarët politikë, atëherë në të vërtetë do të përfundojë duke e lodhur vetveten.

Gjini tha se kjo mënyrë e veprimit politik nuk jep rezultatet e pritura dhe se, sipas tij, presioni dhe taktikat e tilla kthehen në bumerang për vetë Kurtin.

“Nëse Kurti mendon se do të na lodh neve, po ta garantoj që ai do ta lodh veten.”, tha Gjini.


”Kurti s’ka nevojë as të na thërrasë në takim, s’ka çfarë të na ofrojë”, Gjini

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nevojë ta ftojë AAK-në në bisedime për formimin e qeverisë, duke theksuar se partia e tij nuk synon të bëhet pjesë e ekzekutivit.

Duke komentuar mundësinë e një ftese nga VV-ja, Gjini tha se e vetmja gjë që pret nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është një zotim publik se disa çështje do të përfshihen në programin qeverisës.

“Neve s’ka nevojë as me na thirr. Krejt çka duhet me bo për me u sqaru është me thonë se këto bëhen pjesë e programit, se ne nuk po dojmë me shku në qeveri. Nuk po i lypim asgjë. Kurti nuk ka asgjë me na dhënë neve”, deklaroi Gjini.


Gjini për VV-në: Po e rrejnë popullin, e kanë bërë politikën abnormale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini në ”Click” të RTV21 ka kritikuar pushtetin duke thënë se situata politike është bërë aq e pazakontë sa që, sipas tij, është “luks” të ketë njerëz normalë.

Gjini foli edhe për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se mbështetja e AAK-së do të varet nga kandidati që propozohet.

“Varet kush është kandidati. Nuk mundemi me votu një kandidat që nuk është i duhuri. Rrethanat e momentit politik në Kosovë kanë me mrri që, edhe nëse ky pushtet nuk don me na çu në zgjedhje, atëherë mundemi me pasë një proces në të cilin kemi me mrri me pasë një president ose presidente normal, sepse aq abnormal është bërë politika në Kosovë. Është bërë luks në Kosovë me pasë njerëz normalë në politikë”, deklaroi Gjini.

Ai u shpreh i zhgënjyer me zhvillimet politike në vend, duke thënë se situata është e papranueshme.

“Qaq pështjellana, pasha nderin, është e pabesueshme. Nuk mundet dikush me dashtë vendin e vet edhe me konë i qetë edhe me pa se çka po ndodh”, tha ai.

Gjini akuzoi gjithashtu pushtetin se po mashtron vazhdimisht qytetarët dhe se po përdor mjetet financiare të shtetit për interesa politike.

“Po i rren krejt kohën. Është marre për këdo që është në pushtet me i dhënë pare popullit kur t’i vyn pushtetit e jo kur t’iu vyjnë atyre”, u shpreh kryetari i AAK-së.


Gjini: Nuk kemi interes të jemi në qeveri me Kurtin, nuk ndajmë të njëjtat qëndrime

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se partia që ai drejton nuk është e interesuar të bëhet pjesë e një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar dallimet e mëdha politike ndërmjet dy subjekteve.

Gjini tha se AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë qëndrime të ndryshme për çështje të rëndësishme shtetërore, prandaj hyrja në një qeveri të përbashkët nuk është në interesin e Aleancës.

“Nuk kemi interes për të qenë në qeveri me Kurtin. Nuk i kemi mendimet e njëjta”, deklaroi Gjini.


Gjini ”godet” Kusari-Lilën: Mos pështjellni, pa gazin amerikan AAK nuk e bën kuorumin

Gjini: Kushdo që kërkon votat e Aleancës për Presidentin duhet t’i pranojë këto 6 kërkesa 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini në ”Click” të RTV21 ka reaguar ndaj deklaratave të Mimoza Kusarit-Liles, duke thënë se nuk e ka kuptuar mesazhin e saj lidhur me kërkesat e AAK-së.

Gjini tha se Vetëvendosje mund të refuzojë kërkesat e AAK-së ose të zgjedhë të krijojë një koalicion pa Aleancën, por theksoi se nëse i nevojitet kuorumi i deputetëve të AAK-së, atëherë duhet të pranojë kërkesën për projektin e gazit amerikan.

“Nuk e kuptova asgjë çka tha. Lërini pështjellimet. Mund të thoni: ‘Jo, nuk na pëlqejnë këto kushte’, edhe nëse shkojmë në zgjedhje nuk i pranojmë. Mund të ndodhë që ta bëjnë një koalicion dhe AAK të mos i duhet fare. Por, në rast se ju vjen puna që ju duhet kuorumi dhe AAK ju duhet për kuorum, nuk ua bëjmë kuorumin pa e pranuar gazin amerikan, dhe pikë”, deklaroi Gjini.

Tutje Gjini shtoi se “Na këto kemi me i lyp edhe nëse është Ramush Haradinaj kandidat. Këto kërkesa janë për Kosovën, nuk janë për ne, as për ministra, as për president, por për Kosovën. Unë dhe Aleanca besojmë fuqishëm që jemi keq dhe kanë me kris problemet nëse nuk merremi me to. Kushdo që ka me qenë kandidat për president, duke e përfshirë edhe kryetarin tem, Ramush Haradinaj, Aleanca këto kushte ka me i pas për pushtetin. Shumë thjeshtë”.


Gjini-Kurtit: Dil dhe zotohu publikisht, AAK do të qëndrojë në sallë dhe do ta bëjë kuorumin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të japë një zotim publik lidhur me zhvillimet politike në vend, duke e akuzuar për, sipas tij, mosmbajtje të fjalës.

Gjini tha se AAK po kërkon një deklarim të qartë publik nga Kurti, në mënyrë që qytetarët të mund të gjykojnë vetë se kush po e thotë të vërtetën.

“Zotim publik po kërkojmë nga Kurti. Ne po e dimë që në Kosovë është bërë garë se kush po rren më shumë. Le ta shohë krejt dynjaja se kush po rren. Një pjesë e qytetarëve tashmë e dinë se ai po rren”, deklaroi Gjini.

Ai tutje ka shtuar se, “Dil e zotohu publikisht se këto janë temat. AAK do të qëndrojë në sallë dhe do ta bëjë kuorumin”.


Gjini: Presidenti nuk është kusht i AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia që drejton nuk e ka prioritet të bëhet pjesë e qeverisë, duke theksuar se fokusi i saj mbetet tejkalimi i krizës ekonomike në vend.

Gjini tha se Kosova po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe se propozimet e AAK-së bazohen në bindjet e saj politike për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë.

“Nuk është në interesin tonë të jemi pjesë e qeverisë. Kosova është në krizë të thellë ekonomike. Ajo që ne kemi kërkuar janë bindjet tona të thella, të cilat e ndihmojnë Kosovën të dalë nga kriza”, u shpreh Gjini.

Ai shtoi se posti i presidentit nuk është kusht i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në kuadër të diskutimeve për zgjidhjen e ngërçit politik.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button