Gjithçka që duhet të dini për përkujdesjen e lëkurës gjatë dimrit 

 
Në stinën e dimrit kur temperaturat janë më të ulëta, i nevojshëm është kujdesi i veçantë për lëkurën. Këshilla se si të kujdeseni për lëkurën tuaj gjatë dimrit, ka dhënë Dr. Artina Pajaziti, specializante e dermatovenerologjisë, në një intervistë për rtv21.tv.

Pajaziti ka thënë se ajri i thatë, lagështia e zvogëluar dhe ngrohjet brenda objekteve gjatë dimrit dehidrojnë lëkurën dhe shpiejnë në thatësi.
Tutje Pajaziti ka thënë se personat me tip të thatë të lëkurës, e sidomos ata që vuajnë nga eczema, psoriaza, rosacea apo keratosis pilaris (‘lëkura e pulës’) kanë tendencë për irritim më të shprehur gjatë kësaj stine. Arsye për këtë është zvogëlimi i prodhimit të filagrinës gjatë dimrit, proteinës ndërtuese të barrierës lëkurore. Filagrini reduktohet gjithashtu me moshë dhe gjatë ndërrimeve hormonale. Kjo shpjegon pse të moshuarit kanë lëkurë të thatë.
Megjithatë, Pajaziti ka shpjeguar se kujdesi ndaj lëkurës gjatë dimrit nuk ka nevojë të jetë i tepruar dhe të dallojë shumë nga stinët tjera.
Dr. Pajaziti tutje ka treguar për kremrat që duhet të përdoren gjatë kësaj periudhe.
Ajo ka thënë se përqëndrimi kryesor duhet të jetë në përdorimin e kremave (jo losioneve) hidratues të trashë, që përmbajnë acid hialuronik, ceramide apo vazelinë, që të evitojnë tharjen e lëkurës. Rekomandohet përdorimi edhe i pastruesve hidratues, jo të fortë.

“Pastruesit e fortë nxisin zhveshjen e lëkurës nga lagështia natyrore. Kujdes i shtuar duhet për përdorimin e vitaminës C dhe retinoideve gjatë dimrit, sepse efekti i tyre është më i shprehur. Gjithashtu, pastrimi me ujë shumë të ngrohtë dhe përdorimi i sfungjerëve pastrues nuk preferohet, sepse mund të nxisin irritim të lëkurës”, ka shpjeguar Pajaziti për rtv21.tv.
Pajaziti gjithashtu ka theksuar rëndësinë e aplikimit të kremës mbrojtës ndaj diellit gjatë dimrit.

Ajo ka thënë se rrezatimi UVA është dominues gjatë dimrit dhe ndikon në plakjen e lëkurës. “Për këtë arsye preferohet përdorimi i kremave me faktorë mbrojtës SPF 30+. Riaplikimi gjatë ditës i kremave të tilla duhet të bëhet gjatë qëndrimit të zgjatur në ambiente të jashtme. Edhe pse mund të gënjeheni nga retë apo bora, rrezet e diellit gjatë dimrit mund të shkaktojnë djegie serioze të lëkurës”.
Dr.Pajaziti tutje ka shpjeguar se kujdesi për lëkurën gjatë dimrit nënkupton edhe mbajtjen në nivel të lagështisë së ajrit në ambiente të mbyllura. “Kjo mund të arrihet përmes përdorimit të lagështuesve të ajrit”.
Ajo ka theksuar se konsumimi i ujit ka rol të rëndësishëm në hidratimin e lëkurës, ndërsa preferohet konsumim minimal i alkoolit, i cili ka efekt të kundërt.

Pajaziti ka thënë se stina e vjeshtës dhe dimrit konsiderohen ideale për kryerjen e tretmaneve të lëkurës, për shkak të rrezikut të zvogëluar për zhvillimin e hiperpigmentimeve postinflamatore nga ekspozimi në diell në pranverë dhe verë.
Ajo ka theksuar se tretmanet në formën e peeling-ut, microneedling, mikodermabrazionit dhe laserit preferohen në këtë periudhë kohore.
Në fund, Pajaziti ka thënë se niveli i ngritur i vetëdijes qytetare mbi kujdesin ndaj lëkurës në përgjithësi mund të vërehet lehtë në bazë të interesimit të shprehur në njohjen e tipit të lëkurës, njohjen e përbërësve të produkteve kozmetike dhe investimit të kohës e buxhetit të tyre për rezultate sa më të mira. Megjithatë, ajo ka thënë se jo çdoherë këshillat e produktet që lexojmë e shohim e që ju përshtaten personave të tjerë janë të duhurat për ne.
Për këtë arsye, Dr. Pajaziti ka theksuar se këshillat dhe udhëzimet individuale të dermatologut janë të nevojshme./21Media

Back to top button