Gjykata Administrative hapet më 5 maj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi që Gjykata Administrative të fillojë punën më 5 maj 2026.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se deri në maj do të përfundojë transferimi i lëndëve, zhvillimi i sistemit për menaxhimin e tyre, plotësimi i stafit administrativ dhe përgatitja e hapësirave së gjykatës.
“Në procesin e veprimeve që KGJK po ndërmerr për themelimin dhe hapjen e Gjykatës Administrative është vlerësuar dhe realisht janë bërë përgatitjet që sot të kemi edhe vendimin për datën e hapjes së Gjykatës Administrative. Pra, propozimi është që të hapet zyrtarisht Gjykata Administrative. Fillimi i punës në Gjykatën Administrative do të jetë më datën 5 maj 2026…Është menduar të jetë kjo datë edhe për shkak se gjatë kësaj periudhe do të bëhen përgatitjet dhe do të konfirmohen të gjitha transferet e listave të lëndëve, përfshirë edhe veprimet e tjera që lidhen me zhvillimin e sistemit për menaxhim të lëndëve. Shpresoj se gjatë kësaj periudhe të kemi edhe veprime për plotësimin e stafit administrativ dhe përgatitjen e të gjitha hapësirave të Gjykatës Administrative”, tha ai.
Në këtë mbledhje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës u miratua edhe draft- Rregullorja 01/2026 për sistemimin vendeve të punës në Gjykatën Administrative.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në vazhdimin e mbledhjes së 363-të i propozoi presidentes së Republikës së Kosovës 15 gjyqtarë për dekretim me mandat fillestar, 28 gjyqtarë për riemërim me mandat të përhershëm dhe 2 gjyqtarë nga komuniteti serb për dekretim me mandat fillestar.