Gjykata Komerciale shtyn vendimin e MINT-it për Klan Kosovën

(Lajm i përditësuar)
Vendimi i Komerciales, Klan Kosova falënderon të gjithë ata që e përkrahën
Gjykata Komerciale e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyrë vendimin e MINT-it rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.
Klan Kosova me këtë rast ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur betejën e mediave për ta mbrojtur lirinë e shprehjes, dhe në këtë rast Klanin në veçanti. “Kjo mbështetje erdhi në masë të madhe si nga komuniteti i gazetarëve, ashtu edhe nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, vendet e Kuintit e më gjerë”.
Kelmendi pas vendimit të Komerciales: Rrena i ka këmbët e shkurtra
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale për shtyrje të vendimit të nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve.
Kelmendi në Facebook ka shkruar se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka gënjyer kur ka thënë se Klan Kosova nuk i ka bërë përmirësimet e nevojshme në dokumentacion.
“A po ju kujtohet që MINT dhe disa suflerë të pushtetit thonin nuk janë bërë përmirësimet? Rrena i ka këmbët e shkurtra”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka cituar një paragraf të vendimit të Gjykatës Komerciale.
Gjykata gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se paditësi ka bërë përmirësimet e nevojshme në shoqërinë tregtare të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, ashtu që sipas Certifikatës së Regjistrimit nr. ser. 10076953 dhe informatat e biznesit të lëshuara me datë 21.06.2023, “Klan Kosova” Sh.p.k. është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 26.11.2008, me numër unik identifikues 810795297 me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë, në pronësi të KGO Media Investments Holding me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë dhe person të autorizuar B.I. me adresë rr. “…” nr…., Pejë, Kosova.
AGK-ja mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale në favor të Klan Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Komerciale në Prishtinë, që ka aprovuar ankesën e televizionit Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për pezullimin e certifiktës së binzesit nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë.
Gjykata Komerciale shtyn vendimin e MINT-it për Klan Kosovën
Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur që të aprovohet si e bazuar kërkesa e Klan Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve në lidhje me rastin e saj.
“I. APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve. II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.
Më tej në arsyetimin e vendimit thuhet se Paditësi Klan Kosova Sh.p.k., me seli në Prishtinë, pranë kësaj gjykate ka iniciuar konflikt administrativ me kërkesë për anulimin e Vendimit nr. 4566/01 të datës 28.07.2023 i nxjerrë
nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 të datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e 2 / 6 Bizneseve në Kosovë, si dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të tyre, deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar për padi.
Bëhet e ditur se gjyqtari i rastit ishte Arnis Dumani./21Media