Gjykata Kushtetuese votoi për pagesën e subvencioneve

Shfrytëzuesve të subvencioneve shtetërore, ku më të shumtit janë bujqit, tani do të mund t’u paguhen subvencionet para se të formohet qeveria e re në Maqedoni

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme vendosi në lidhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e disa dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe të Ligjit për parandalim të korrupsionit, me të cilat, mes tjerash, ndalohej pagesa e subvencioneve shtetërore gjatë periudhës zgjedhore. Me propozim të gjyqtarit raportues Vlladimir Stojanovskit u miratua masë kohore për heqjen e ndërprerjes së pagesës së subvencioneve deri në formimin e qeverisë së re, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, shkruan TV21.TV

“Me këtë vendim, ne eliminojmë një pabarazi. Mund të hapim edhe një sërë çështjes tjera për pabarazi të tjera. Ne duhet të kemi vëmendje edhe për kategoritë e tjera të qytetarëve. Nuk mund që të ngremë procedurë për një segment dhe të thirremi në Kushtetutën e vendit, kur në po atë segment mund të gjejmë edhe çështje të tjera ku ka pabarazi”, tha Gëzime Starova.

Nga Ministria e Financave informuan se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të fillojnë me pagesën e subvencioneve shtetërore, mes tjerash edhe të subvencioneve për bujqit.

“Akoma nuk e kemi marrë vendimin. Por buxheti është likuid, ndërsa në arkën shtetërore ka para. Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të fillojmë me pagesën e subvencioneve”, thonë nga Ministria e Financave.

Nismëtar i propozimit për heqjen e ndalesës për pagesën e subvencioneve është shoqata e bujqve “Agrotikveshija”. Sipas shoqatës së bujqve, në nivel vjetor tek kjo shoqatë arrijë rreth 80 mijë aplikime për pagesën e ndihmës shtetërore. Shteti bujqve u ka borxh subvencione për vitin 2016, ndërsa disave edhe për vitin 2014 dhe 2015. Borxhi i përgjithshëm arrin vlerën deri në 92 milionë euro./21Media

Back to top button