Gjykata: Ministria e shkarkoi jashtëligjshëm drejtorin e Qendrës Kinematografike, Arben Zharku

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konstatuar se Arben Zharku ishte shkarkuar në kundërshtim me ligjet në fuqi nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) në vitin 2021.

Arben Zharku ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të QKK-së për keqmenaxhim të kësaj qendre në dhjetor të vitit 2021 nga ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Duke mos u pajtuar me këtë vendim po në dhjetor të atij viti, Zharku iu drejtua gjykatës me padi ndaj MKRS-së.

Zharku përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar vendimin e gjykatës në favor të tij.

”Pas më shumë se katër vitesh, më në fund mund ta ndaj vendimin e gjykatës lidhur me rastin tim gjatë kohës sa drejtoja Qendrën Kinematografike të Kosovës. Jam mirënjohës që gjykata e anuloi vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe vendosi në favorin tim. Periudha kur pata nderin ta udhëheq këtë institucion përkoi me një moment të jashtëzakonshëm për kinematografinë e Kosovës. Sidomos viti 2021 ishte kulmor. Filmat tanë ishin në Oscars, Sundance, Cannes, Berlin, Rotterdam, Venedik, Sarajevë, Karlovy Vary…, dhe gjithandej sillnin çmime e suksese të jashtëzakonshme. Kosova, me tregimet e saj, u bë vala më e re e kinematografisë botërore, dhe mbetem shumë krenar që, bashkë me të gjithë krijuesit e Kosovës, arritëm një gjë të tillë. Besoj se suksesi i kinematografisë së Kosovës është dhe duhet të mbetet një projekt i përbashkët, mbi çdo rrethanë. Goditja që iu bë në atë kohë QKK-së ishte e padrejtë dhe e turpshme. Drejtësia në Kosovë vonon, por prapëseprap mbetet balanca më e mirë ndaj vendimeve të padrejta të politikanëve dhe politikave të gabuara”, ka shkruar Zharku.

Back to top button