Gjykata për katër vjet ia rrëzoi 8 ligje Kurtit e 8 të tjera i ka në shqyrtim

Gjykata Kushtetuese i tha RTV21 se që nga viti 2021 kjo Gjykatë ka gjetur 8 ligje të miratuara të cilat janë në mos përputhje me Kushtetutën. Kushtetuesja tha se aktualisht janë edhe 8 ligje të tjera në shqyrtim.
Në përgjigjen e Gjykatës nuk përfshihen 16 ligjet e ankimuara nga PDK-ja, javën e kaluar të cilat u miratuan në seancën e natës së 5 dhjetorit.
Përgjigja e kushtetueses pasoi deklaratat e vazhdueshme të qeverisë dhe kryeministrit Kurti se Gjykata Kushtetuese është bërë palë në pengim të reformës në drejtësi.
‘’Nga viti 2021 e deri më sot, Gjykata ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën të disa prej neneve të ligjeve të kontestuara, në rastet në vijim: 1. KO232/23 dhe KO233/23 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës] 2. KO46/23 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme] 3. KO114/23, KO192/23, KO227/23 dhe KO229/23 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafit 2 të nenit 4 (Ne Bis In Idem), paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) dhe paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës Nr.08/L-032] 4. KO79/23 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik] 5. KO173/22 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg] 6. KO216/22 dhe KO220/22 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 9, 12, 46 dhe 99 të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë] 7. KO100/22 dhe KO101/22 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës] 8. KO190/19 [kërkesë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve]. Aktualisht, në Gjykatën Kushtetuese në procedurë të shqyrtimit janë ligjet në vijim: (i) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit Nr. 08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës (ii) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 28 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (iii) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 8A, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4, të Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (iv) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 55 të Ligjit Nr. 04/L-193 për Avokatinë në Republikën e Kosovës (v) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit Nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave (vi) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit Nr. 08/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës (vii) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 9, paragrafi 5 dhe 7, nenit 14, nenit 16, nenit 26, nenit 79, paragrafi 4 dhe nenit 89, paragrafi 12, të Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore (viii) Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik’’, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese./RTV21/21Media