Gjykata Speciale ftoi Agron Limanin

Edhe një ftesë nga Specialja

Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Limani nga zona operative e Pashtrikut ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale. Lajmin e ka bërë të ditur sot Limani përmes një postimi në facebook.

Me këtë rast, dua të falenderoj të gjithë ata, të cilët nocionit drejtësi, i humbën çdo vlerë, e sollën në një gjendje të tillë, e cila do tu shërbente si alibi ” miqëve” të Kosovës për të formuar një gjykatë të tillë një etnike, në të cilën nuk do të gjykohet asnje serb, pavarësisht krimeve të bëra në vendin tonë.”, ka shkruar Limani.

Ai ka shtuar se indiferenca shumëvjeqare e institucioneve tona karshi krimeve serbe, ka shërbyer si motiv i mjaftueshëm për formimin e kësaj gjykate diskriminuese kundërshqiptare.

“Gjate 20 viteve, Serbia në vazhdimësi fabrikoi gënjeshtra, kurse organet tona nuk arritën të dokumentonin krimet e luftës. Heshtja institucionale (vendore dhe ndërkombëtare) ishte mënyra më e mirë për mbulimin e krimeve serbe. Prandaj jo rastësisht serbët nga kriminel u kthyen në viktima. Bartësit e institucioneve tona, në vend që të formonin organe kompetente për të mbledhur fakte dhe dëshmi për krimet serbe, ata kryesisht u morën me pasurimin e tyre. Maksima ”ra kau shpëtoi shkau” i përgjigjet më së miri sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve tona. Klasa jonë politike temën e krimeve serbe e aktualizonte sa herë kur kjo i shërbente për interes personal apo grupor, por asnjëherë nuk e trajtuan me seriozitetin e domosdoshëm institucional, trajtim i cili do tu sillte drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre. Historia më e re e Kosovës padyshim se do të shënojë në analet e saj një fenomen, me gjasë të paparë më parë, fenomenin sesi indiferenca e viktimës ndikon në shfajsimin gradual të kriminelit dhe me këtë suksesshëm bënë ndërrimin e pozicioneve mes viktimës dhe kriminelit.”, ka shkruar më tutje Limani.

Mbi 250 persona, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare dhe qytetarë të Kosovës janë ftuar gjatë vitit 2019 nga Gjykata Speciale. Disa prej tyre janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve, por shumë prej tyre ftesën e kanë marrë vetëm si dëshmitarë. Madje janë ftuar edhe disa nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në mesin e tyre edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dikur udhëheqës të UÇK-së./21Media

Back to top button