Gjykatësit rikthehen me orar të plotë në punë

Gjykatësit do të kthehen me orar të plotë në  punë dhe do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja është përcaktuar me legjislacionin në fuqi, duke ndryshuar vendimin e 23 nëntorit me të cilin ishte vendosur për bojkot pasi Qeveria vendosi t’i ulë pagat në sistemin e drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se megjithatë pezullimi i bashkëpunimit me Qeverinë do të vlejë ende.

Në fuqi ka mbetur vendimi i KGJK-së që të kërkohet nga Qeveria anulimi i vendimit për uljen e pagave.

Masa e re e kthimit në punë të plotë, pasi deri tash gjykatat merreshin veç me rastet esenciale, është marrë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë pezulloi vendimin e Qeverisë.

“Në rrethanat e krijuara, Këshilli vlerësoi se gjykatat duhet t’i kthehen punës nga data 3 dhjetor me qëllim që të vazhdojnë ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim. “KGjK mbetet e përkushtuar që të mbroj pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor, prandaj mbetet i pa ndryshuar qëndrimi i KGjK-së dhe kryetarëve të gjykatave me të cilin i kërkohet Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shfuqizoj vendimin Nr. 03/109, dhe njëkohësisht kërkojnë që qeveria të respektoj kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi, për të ruajtur dhe promovuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe pagat”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

KGJK-ja ka kërkuar po ashtu që në Ligjin për paga dhe atë për zyrtarët publikë të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e vetërregullimit të pagave brenda sistemit gjyqësor njëkohësisht kërkon që të pranohet statusi i veçantë i administratës gjyqësore, përfshirë çështjen e pagës siç është kërkuar me komente nga KGjK dhe sindikatat./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button