Gjyqtarja që dënoi butë dhunuesin e të miturës para përgjegjësisë disiplinore

Gjykata Supreme ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë të adresojë përgjegjësinë disiplinore për gjykatësen që mori vendim për të dënuar me tetë muaj burgim dhunuesin e një 15-vjeçareje.

“Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit për veprën penale Dhunimi, e që pretendohet se ka pas shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Veç kësaj edhe Prokuroria e Shtetit dje i ka kërkuar Prokurorisë Themelore të Pejës që ta rishqyrtojë rastin. 
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kërkuar dje shkarkimin e gjyqtares dhe prokurores që janë marrë me rastin e përdhunimit të 15-vjeçares në Pejë, për shkak të dënimit të ulët që i është dhënë kryerësit të kësaj vepre./21Media
Back to top button