”Gjysmë jete në shërbim”, majore Manushaqe Nura përshëndetet me uniformën e FSK-në

Majore Manushaqe Nura ka njoftuar se është përshëndetur me uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar, ajo shprehu emocionet e saj duke theksuar se po largohet me ndjenja të përziera, por me kokën lart dhe me respektin e fituar nga kolegët e saj.

“Pas thuajse gjysmë jete në shërbim, sot po përshëndetem me uniformën, FSK-në. Modestinë do ta ruaj edhe sot, por e rëndësishme është të ndaj me ju që po dal ballëhapur dhe e respektuar nga të gjithë,” tha Nura, duke e përshkruar këtë si një moment të vështirë, por të domosdoshëm.

Ajo shprehu mirënjohje të thellë ndaj shtetit të Kosovës për mundësitë e ofruara gjatë shërbimit të saj, fillimisht si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe më vonë në FSK, ku arriti zhvillim profesional dhe u shkollua në institucione të shquara vendore dhe ndërkombëtare.

“Brenda atyre rrethojave gjendet një brez i artë i rinisë së Kosovës, për të cilët do të jem krenare kudo që të më gjejë jeta,” përfundoi Nura, duke theksuar moton “Një për të gjithë, të gjithë për një!”

Back to top button