Gledis Nano merr zyrtarisht drejtimin e Policisë së Shtetit

Gledis Nano ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri.
Ceremonia e kalimit të detyrës nga drejtorit i dorëhequr Ardi Veliu te Gledis Nano u zhvillua paraditen e sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Nano me të marrë postin e drejtori të Policisë së Shtetit ka premtuar se do të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarëve.
“Gjej rasti t’ju shpreh një falënderim të posaçëm ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit, për besimin e dhënë. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion, i frymëzuar nga babi im si ish-oficer. Kam kuptuar se ky institucion është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Sfidat janë rëndësishme, puna e arritur nga paraardhësi im ka nevojë të çohet përpara, qytetarët presin standarde të tjera dhe zgjidhje të probleme të tyre dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta arritur. Në të njëjtën kohë, kërkoj prej tyre që ta shohin Policinë si një partner, roli tyre është i pazëvendësueshëm në suksesin e punës tonë”, ka thënë Nano.
Në fjalimin e lamtumirës, Ardi Veliu u shpreh krenar për arritjet e Policisë së Shtetit në katër vjet të drejtimit të tij, duke nënvizuar rolin e saj në përballimin e dy fatkeqësive, tërmetit dhe pandemisë, por edhe tubimeve të shumta.
Ndryshe, Nano është oficer me karrierë 20 vjeçare dhe deri ishte për 5 vjet drejtor i Antiterrorit në Policinë e Shtetit./21Media
 
 

Back to top button