Gratë protestojnë kundër qeverisë talibane të përbërë vetëm me burra

Dhjetëra gra në Kabul dhe provincën verilindore të Afganistanit Badakhshan kanë protestuar kundër formimit të një qeverie të përkohshme talibane, të përbërë vetëm nga burrat, për të sunduar Afganistanin.
Demonstruesit thanë se nuk do të pranonin një qeveri pa ministra gra, transmeton rtv21.tv.
Raportohet se disa gra u rrahën para se të shpërndaheshin protestat. Organizata lokale e lajmeve “Etilaatroz” tha se disa nga gazetarët e saj u arrestuan dhe u rrahën për mbulimin e tubimit.
Talibanët, të cilët nuk u janë përgjigjur akuzave, paralajmëruan se protesta të tilla ishin të paligjshme. Ata kanë thënë se protestuesit duhej të kishin kërkuar leje për të marshuar dhe nuk duhet të përdorin atë që ata e quajtën gjuhë abuzive.
Të martën, tre persona u vranë gjatë një demonstrate në qytetin perëndimor të Heratit.
BE tha se grupi islamik kishte hequr dorë nga premtimet për ta bërë qeverinë e tyre “përfshirëse dhe përfaqësuese”, ndërsa SHBA gjithashtu shprehu shqetësimin se qeveria e përkohshme përfshin figura të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane./21Media

Back to top button