Gratë të heshtura në fushatë zgjedhore, “partitë po u japin hapësirë burrave”

Në vazhdim të fushatës zgjedhore, një zë që shpesh po mbetet i heshtur është ai i grave. Pavarësisht energjisë, idesë dhe pasionit që ato kanë për të sjellë ndryshime në politikë, shumë herë përballen me barrierat e një shoqërie që e vështirëson përfshirjen e tyre. Analistët politikë theksojnë nevojën që ky zë të dëgjohet më shumë, pasi sipas tyre, përfaqësimi i tyre do të kishte efekte pozitive për të ardhmen e vendit.
Fushata zgjedhore po vazhdon me akuza e kundërakuza ndërmjet kundërshtarëve politik si dhe premtime të ndryshme para elektoratit.
Por një zë që nuk po dëgjohet sa duhet, është ai grave kandidate për deputete, për shkak të cenimit të hapësirës së nevojshme nga partitë politike që përfaqësojnë.
Analisti politik, Afrim Kasolli, e sheh absurde barrikadimin e grave, pasi sipas tij ato janë të zonjat në politikbërje dhe nëse zëri i tyre do të dëgjohej më shumë, vendi do të kishte efekte më pozitive.
Se zëri i grave shpesh mbetet i heshtur nëpër fushata zgjedhore nuk është diçka e re në skenën tonë politike, thotë analistja Magbule Shkodra. Ajo theksoi se gratë kanë idenë, energjinë dhe pasionin për të sjell ndryshim por shumë herë përballen me barrierria të shprehjes.
Lëvizja Vetëvendosje në listën e saj për kandidatë për deputet ka 69 burra dhe 41 gra. Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nga 72 kandidatë për deputet burra dhe 38 gra, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 78 burra dhe 32 gra./RTV21/21Media