Gratë më të shkolluarat, por më të papunësuara

Kosova shkallën më të lartë të jo aktivitetit të grave në Evropë

Shumë organizata jo qeveritare në vend, kanë bërë hulumtime të shumta rreth angazhimit të grave në ekonominë e Kosovës. Nga analizat e bëra në terren del se gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara në vendin e tyre të punës.

Ishte pikërisht kjo tema për të cilën u diskutua në emisionin “Start Up” të RTV21, ku të ftuara ishin drejtoresha ekzekutive e Institutin GAP, Nora Latifi- Jashari, përfaqësuesja nga  Instituti për Demokraci dhe Zhvillim- D4D, Linda Abazi- Morina, Sibel Halimi, nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim, Burim Korça nga Qendra kosovare për përkrahje të Bizneseve  dhe drejtoresha e Qendrës për promovim të drejtave të grave në Drenas, Kadrie Tahiraj.

Latifi- Jashari prezantoi rezultatet e hulumtimit më të fundit të Institutit GAP, për punësimin e gjinisë femërorë në vendin tonë.

“Kemi analizuar se si ndikon gjuha e konkurseve për vende të punës në pabarazinë gjinore. Shkalla e papunësisë në Kosovë sillet rreth 28.7 %, që e bënë Kosovën vendin me papunësinë më të madhe në Evropë. Papunësia është me e theksuar te gratë dhe të rinjtë, ku shumica e grave që janë në moshë të punës nuk marrin pjesë në tregun e punës, apo një në pesë gra janë aktive në treg të punës”, tha Latifi- Jashari.

Sipas saj, nga të dhënat zyrtare mësohet se janë gratë ato që kryesojnë në përfundimin e shkollimit universitarë dhe njëjtë në atë përqindje janë të regjistruara si punë kërkuese.

“Shkalla e punësimit në mesin e grave që janë në moshë të punës është vetëm 12.9 %. Nga të dhënat prej Ministrisë së Mirëqenies Sociale shohim se nga mbi 112 mijë punëkërkues së regjistruar prej tyre afërsisht 44% janë gra dhe pjesa tjetër janë burra. Çka është interesante prej këtyre të dhënave shohim se si punëkërkuese aktive me gratë universitare ato janë më shumë në numër se burrat dhe ato gratë që janë të pa kualifikim por që janë të regjistruara si punë kërkuese janë në numër më të vogël se sa burrat”, shtoi ajo, shkruan rtv21.tv

Latifi- Jashari tregon se arsyet zyrtare pse gratë janë të pakta në fuqinë punëtore janë shkalla e lartë e papunësisë si dhe obligimet familjare.

Në anën tjetër, Instituti D4D  është duke përgatitur një raport për punësimin e grave, të dalurat e së cilës i prezantoi Abazi-Morina. Ajo tha se Kosova ka shkallën më të lartë të jo aktivitetit të grave në Evropë.

“ 82% sipas të dhënave zyrtare janë joaktive, d.m.th nuk janë të punësuara por as nuk janë duke kërkuar punë”, tha Abazi-Morina, duke shtuar se sipas të anketuarve, arsyeja pse gratë nuk janë të punësuara në tregun e punës janë kujdesi për familjen, nuk ka punë në dispozicion për gratë, gratë i kanë mundësitë më të vogla për me gjetur një vend pune dhe ajo se, gratë janë të shkolluara në profesione që nuk ka kërkesa për vende pune.

Ajo ka treguar se në këtë hulumtim janë elaboruar edhe arsyet kryesore për diskriminim në procesin e punësimit.

“Shoqëria patriarkale është menduar se ka ndikimin më të madh, një prej faktorëve kryesor pse gratë nuk janë aktive në tregun e punës, mandej pushimi i lehonisë me 26 % dhe tjetra është se mendohet se gratë janë më pak fleksibile”, shtoi Latifi-Jashari, shkruan rtv21.tv

Halimi përfaqësuese e ATRC, tregon se kjo organizatë ndihmon këto hulumtime që të ketë informacione se çka ndikon në mos aktivizimin e gruas në punë. Në mënyrë që të merren hapat konkret në përmirësimin e gjendjes aktuale në të cilën gjendet gruaja në Kosovë.

“Pak a shumë ne e dimë se si qëndron pozita e grave në tregun e punës, çështja e konkurseve dhe shumë problemeve me të cilat ballafaqohen gratë në sferën e ekonomisë. Nëpërmjet këtyre organizatave po legjitimohet një e ditur edhe nga një qytetar i zakonshëm. Mirëpo, për të avokuar dhe ndryshuar nuk është e mjaftueshme vetëm t’i kemi hipoteza, por kemi të dhëna shkencore”, tha Halimi./21Media

Back to top button