Grenell: Osmani dhe Kurti kanë qenë të tmerrshëm

Ish-përfaqësuesi amerikan për dialogun Kosovë-Serbi gjatë administratës Trump 1, Richard Grenell, ka reaguar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për median e Shqipërisë “TV Syri”, mes tjerash ka thënë se administrata Trump 2 e mbështetë fuqishëm Kosovën dhe integritetin territorial të saj.

Grenell ka thënë se Osmani po gënjen dhe se Kurti (kryeministri Albin Kurti), bashkë me Osmanin kanë qenë ekip i tmerrshëm.

“Ajo po gënjen. Ekipi Kurti dhe Osmani kanë qenë të tmerrshëm dhe këtë të gjithë e kemi parë qartë. Ajo do të thotë gjithçka për të shpëtuar veten politikisht”, ka thënë Grenell në një postim në platformën “X”.

Të hënën presidentja Vjosa Osmani gjatë intervistës ka thënë se falë punës së përbashkët të stafit të saj kanë mundësuar takimin me sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio, për të cilin  Osmani tha se ka qenë pro integritetit territorial të Kosovës, pro sovranitetit të Kosovës dhe se është biseduar gjithashtu edhe për futjen e Kosovës në NATO.

Back to top button