​Gresa Bakraqi dhe Muhamet Ramadani nderohen me çmimin kryesor të Federatës Atletike

Federata Atletike e Kosovës ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për më të mirët e vitit 2025, duke vlerësuar atletët për arritjet e tyre gjatë vitit të kaluar.

Ceremonia u moderua nga Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili theksoi sfidat me të cilat vazhdon të përballet atletika kosovare.

“26 vite pas luftës, zhvillojmë aktivitete në fusha të improvizuara. Uroj që të paktën nga këto Lojëra Mesdhetare, atletika të jetë njëra prej përfituesve më të mëdha sepse e meriton. T’i thuash dikujt që nuk kemi akoma stadium të atletikës është keqardhje”, u shpreh ai.

Më pas, presidenti i federatës, Halil Kastrati, foli për punën dhe zhvillimin e atletikës gjatë vitit 2025.

“Vitin që lamë pas nisëm me një vizion të qartë dhe ambicie të mëdha. Përpos organizimit të mbi 20 garave vendore që përfshijnë të gjitha grupmoshat, duke filluar nga U10 deri te veteranët, kemi punuar sistematikisht dhe intensivisht dhe kemi arritur realizimin e planeve zhvillimore që synojnë arritjen e cilësisë së atletikës në çdo komunë. Një fokus të veçantë iu është kushtuar masivizimit përmes projekteve të identifikimit të talenteve. Kemi vizituar shkolla, duke e dërguar atletikën aty ku lindin kampionët e së ardhmes”, deklaroi Kastrati.

Çmimet u ndanë në të gjitha grupmoshat, ndërsa në kategorinë e seniorëve laureatët ishin:

Seniorët – Femrat

1.Gresa Bakraqi2.Medina Kutlleshi3.Ejona Shala

Seniorët – Meshkujt

1.Muhamet Ramadani2.Leon Thaçi3.Alaudin Sumo

Federata theksoi se synimi mbetet ngritja e mëtejshme e cilësisë dhe krijimi i kushteve më të mira për atletët në vitet në vijim

Back to top button