Greva shkakton tollovi para komunës së Prishtinës

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët. Si pasojë e kësaj greve para komunës së Prishtinës janë shtuar radhët e pritjes mbi 1 orë të qytetarëve që presin për pajisje me dokumente në aparatet digjitale.
Agim Ajvazi i cili ka mbi 1 orë që pret për tu pajisur me certifikatë të lindjes konsideron se nuk ka pasur nevojë fare për grevë.
“Grevën katastrofë. Qe një orë e gjysmë jam duke prit për një certifikatë të lindjes. S’ka pas nevojë për grevë”, thotë ai.
Derisa pajtohet me grevën Fahri Zabërgja, qytetar i Prishtinës kërkon më shumë organizim me qëllim që shërbimet të mos lihen keq.
“Këta duhet me pas edhe tw drejtë pa diskutim, mirëpo duhet të jetë organizimi. Sa i përket komunës, së pari ne në nw Dardani, aty aparatura nuk punon. Është dashtë së pari ta përgatisin aparaturën, që mos të vijmë prej Dardanisë këtu, dhe mos të krijojmë radhë në këtë pjesë me vetëm një aparat. Prandaj kjo është dashur të rregullohet me kohë”, theksoi ai.
Sipas këtij qytetari edhe grevistët duhet t’i japin pak kohë qeverisë deri në hartimi të Ligjit të Pagave.
“Ka të drejtë secili të protestojë, mirëpo normale unë jam në sektorin privat qe duhet ta gjej pak edhe kohën momentin për të parë grevë, pasi që mesa di Qeveria është duke punuar në sjelljen e ligjit të pagave dhe nuk munden me ja dhënë njerëzve lekun. Besoj qe duhet dhënë pak kohë sepse jemi në një situatë shumë tensionuse si vend, gjendja politike është e acaruar”, thotë ai.
Edhe Remzie Bislimi nga Prishtina konsideron se kjo grevë ka qenë e panevojshme.
Sipas saj, kjo qeveri ka më shumë nevojë për kohë për të reaguar karshi problemeve të shumta me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.
“Bash mirë jo (greva), sepse kemi një Qeveri që udhëheqë shtetin dhe Qeveria e re nuk është shumë gjatë në pushtet. Dhe e vlerësojmë këtë Qeveri, por për një kohë shumë të shkurtër nuk mund të arrijë aq shumë sa mendojmë ne… Unë jam duke pritur që 15 minuta (për një dokument)”, u shpreh kjo qytetare.
Nga dita e djeshme Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Përmes këtyre grevave ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
E karshi kësaj greve kanë reaguar nga Ministria e Financave të cilët kërkuan listën e grevistëve për të pezulluar pagesat e tyre. Kjo ngjalli reagime të shumta nga opozita por edhe nga KMDLNj./kp

Back to top button