Grubi: Pritjes shumëvjeçare për të nisur ecjen drejt familjes së madhe europiane sot i erdhi fundi

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi me rastin e Miratimit të Informacionit me propozim konkluzat në bazë të Propozimit të Bashkimit Europian për fillimin e bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian ka shkruar se pritjes i erdhi fundi.
“Projekt pas projekti, sfidë pas sfide, zgjidhje të të gjitha çështjeve nga kjo shumicë progresive, euroamerikane, e guximshme dhe vizionare. Pritjes shumëvjeçare për të nisur ecjen drejt familjes së madhe europiane sot i erdhi fundi.Sfidave të nisura viteve të fundit sot ju dhamë fund! Kemi shtruar trasën e duhur si forca progresiste për t’i treguar botës perendimore se ne nuk kemi alternativë tjetër përveç Bashkimit Europian dhe sot e dëshmuam atë.Sot morën fund shpresat e forcave regresive proruse për të dezorientuar vendin.
Sot qytetarët ia kthyen shpinën protagonizmit për pikë politike, nuk lejuan të bien pre e mashtrimit dhe propagandës nacionaliste të konfuzionit absurd dhe përmes të zgjedhurve të tyre në shtëpinë e demokracisë u prononcuan se e duan Maqedoninë Europiane. Bashkë me dinjitet dhe me të gjitha kapacitetet tona demokratike do të rrugëtojmë deri në realizimin final të ëndrrës sonë të integrimit.Kemi shumë punë dhe përgjegjësi para vetes, por me vendosmëri, bashkëpunim, si dhe përkrahjen e madhe të shteteve të BE-së dhe SHBA-ve do t’ia dalim”, ka shkruar Grubi./21Media

Back to top button