Gruda pas përgjimeve të Mihalit thotë se modeli i operimit të VV është i njejtë si i partisë së Enver Hoxhës

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka reaguar pas publikimeve të bisedave të koordinatores së Vetëvendosjes, Dejona Mihali me ish kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Sipas Grudës këto përgjime vërtetojnë se LVV nuk funksionon thejsht si parti politike por si parti- shtet.
“Në këtë skemë, organet shtetërore janë shndërruar në marioneta të plota të strukturave partiake, ku vendimet e rëndësishme nuk merren në institucione shtetërore, por në zyrat e partisë. Dejona Mihajli, pa asnjë titull zyrtar, i kërkon drejtorit të KEK-ut – i cili duhet të jetë i pavarur dhe jopolitik – të shkojë në selinë e LVV-së për të diskutuar çështje të KEK-ut. Madje, ai duhet të dorëzojë përgjigjet për ministren vetëm pasi ato të kenë kaluar nga dora e Dejonës. “, ka shkruar Gruda.
Ai ka ngritur pyetje se cili është roli i Dejona Mihalit në këtë skemë?!
“Ajo është koordinatore e komiteteve të LVV-së, komitete që po shfaqen si organe paralele me ministritë, duke ushtruar kontroll dhe ndikim të fshehtë mbi çdo vendimmarrje shtetërore. Kjo na rikthen në kujtesë mënyrën si funksiononte shteti në komunizëm.”, ka shkruar Gruda.
Ai ka kujtuar komunizmin në Shqipëri.
“Enver Hoxha, diktatori që drejtoi Shqipërinë për 41 vite, vetëm për 10 vite ishte në detyrë zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë (1944-1954). Për 31 vitet e tjera deri në vdekjen e tij në 1985, ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror formal, ishte vetëm Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Megjithatë, nga pozicioni i Sekretarit të Partisë së Punës, ai kontrollonte çdo aspekt të jetës në Shqipëri.”, ka shtuar Gruda.
“Natyrisht, LVV nuk është plotësisht si Partia e Punës, pasi rrënjët e komunizmit janë tharë prej kohësh nga demokracia perëndimore, por logjika mbetet e njëjtë: një parti që vepron si shtet. As Dejona Mihajli nuk është Enver Hoxha, ajo është thjesht një instrument në duart e Albin Kurtit, por modeli i operimit është i njejtë dhe i rrezikshëm.’, ka përfunduar ai./21Media