Kaloni te përmbajtja kryesore

Gruri i importuar, rrëzon “për tokë” çmimin e grurit vendor?

Inflacioni në qershor arriti në 6% që është mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian dhe më i larti në Ballkan. Çmimet u rritën në produkotet ushqimore dhe energji por edhe në banim. Asnjë institucion shtetëror nuk u mor me këtë inflacion që po grryen qytetarët e Kosovës ndërkohë që ekspertët thanë se vendi ka varësi të madhe nga importi. Përveç produkteve që nuk ka kapacitete t’i prodhojë, Kosova ka importuar edhe grurë me një çmim prej 24 centë për kilogram.

Kjo e ka ulur çmimin e grurit vendor në 18 centë dhe bujku Gani Dobratiqi thotë se po rrezikohet kultivimi i kësaj kulture bujqësore.

“Qysh po flitet gruri i importuar me gjith transport po vjen me 24 centë. Neve na kanë rrëzuar çmimin në 17-18 centë”, tha Dobratiqi për rtv21

Pavarësisht nga ankesat e bujqve, kryeministri në detyrë e ministri i tij i bujqësisë, në nisjen e fushatës së korrje shirjeve nga kombajnat thanë se po synohet një shkallë e vetëmjaftueshmërisë. Ky i fundit madje tha se Kosova do të ketë një rendiment prej 125%.

Bujku Gani Dobratiqi porositi qeveritarët se nëse nuk ndalet importi, kultura e grurit në Kosovë rrezikon të zhduket.

“Po nuk ka hesapë me mbjellë. Mos me pas edhe fermën pse duhet me mbjellë. Unë e kom edhe fermën edhe e kombinojë gjysën për ushqim të kafshëve gjysën e shes”.

Megjithatë, përveç grurit në Kosovë pothuajse çdo prodhues telashe kryesore e ka me produktet e importuara. Importi vie me çmime të lira duke i bërë prodhimet vendore të pakonkurrueshme. Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se derisa institucionet në Kosovë godasin prodhuesit vendor, produktet e importuara vazhdojnë të vërshojnë tregjet në Kosovë.

“Kosova po vazhdon të eksportojë para të gatshme”, u shpreh Shahini për rtv21

Kosova gjatë vitit 2026 ka blerë produkte të huaja me vlerë në mbi 1 miliardë e 700 milion euro ndërsa ka eksportuar pak mbi 240 milionë euro, ka thënë Agjencia e Staistikave në një raport gjysmak.. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lekë Musa ia ka kujtuar LVV-së premtimet me të cilat erdhi në pushtet.

“ Deficiti tregtar ka arritur në 50% të GDP-së. Shtrohet pyetja ku janë premtimet që LVV erdhi në pushtet se do ta ndihmojë prodhuesin vendor”, deklaroi Musa për rtv21

Kosova me import të lartë u ballafaqua edhe gjatë vitit 2025. Ajo për herë të parë në histori të saj ka importuar produkte në vlerë prej 7 miliardë euro, sado që Qeveria Kurti asnjëherë nuk harroi të lavdërohej për suksese duke fshehur realitetin./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button