Guerot porosit: Respektojeni Kushtetuesen, është institucion i respektueshëm jashtë Kosovës

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është institucion i respektueshëm jashtë shtetit, dhe si e tillë duhet t’i respektohen vendimet edhe brenda shtetit.
Ai këto deklarata i ka bërë pas zhvillimeve të fundit në Kuvend.
“Por dua të them se Kushtetuesja është institucion shumë i respektueshëm jashtë Kosovës. Ajo është pranuar si anëtare e plotë e Asociacionit Evropian të Gjykatave Kushtetueses, si dhe asaj frankofone. Për shkak se respektohet jashtë shtetit, mendoj se duhet të respektohet edhe në Kosovë. Prandaj do të përmbahem nga komentet se çka mund të thonë të tjerët, por do të këshilloja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Është ndër shtyllat e Republikës së Kosovës dhe e ka përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë ai pas debatit për “dezinformimin dhe lajmet e rreme në fushatat zgjedhore” të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë.
Për ngërçin politik ka thënë se “është fatkeqësi që jemi në këtë situatë”, duke deklaruar se përveç Kosovës, edhe Franca është në një gjendje të njëjtë sa i përket Qeverisë.
“Edhe ne kemi një kryeministër, por nuk kemi qeveri të plotë”, ka thënë ai.
“Nuk është situatë e mirë për asnjë vend e as për Kosovën. Agjencia franceze për Zhvillim ka zhvilluar disa projekte për Kosovën”, ka shtuar ai.