Gurë në shinat e trenit, reagon Infrakos: Autorët të marrin dënimin e merituar

Ndërmarrja Infrakos ka njoftuar se janë hasur gurë të hedhur mbi trasenë hekurudhore në linjën Prishtinë-Pejë, në dalje të stacionit Cerrovikë. Sipas njoftimit, falë makinistëve të trenit është shmangur një fatkeqësi.

“Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500. Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim”, theksohet në njoftim.

Ky dikaster bënë thirrje të organeve të sigurisë për zbardhjen të shpejtë këtë veprim të rrezikshëm.

“Infrakos dhe Trainkos dënojnë ashpër këtë akt të papranueshëm, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës. Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit.Për këtë arsye, Infrakos dhe Trainkos u bëjnë thirrje organeve të sigurisë që të hetojnë dhe të zbardhin sa më shpejt këtë veprim të rrezikshëm, duke siguruar që autorët të marrin dënimin e merituar. Hekurudhat e Kosovës mbeten të përkushtuara për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për qytetarët e vendit”, thuhet në njoftim. /21Media

Back to top button