Guri: Ndërrone Albulena Haxhiun, se nuk vlen 90 milionë euro

(Lajm i përditësuar)


Guri: Ndërrone Albulena Haxhiun, se nuk vlen 90 milionë euro

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, në emisionin “Click” në RTV21 kërkoi nga Vetëvendosje që ta ndryshojnë propozimin e tyre për Kryetare të Kuvendit.

“Ndërroni Albulena Haxhiun… ish-ministri i tyre tha se Kosova është duke rrezikuar të humbë 90 milionë euro. D.m.th. këta janë në gjendje, e dinë që Kosova është duke i humbur 90 milionë euro, edhe prapë vazhdojnë me propozimin e njëjtë, nuk e ndryshojnë… se këta mendojnë se Albulena Haxhiu vlen 90 milionë euro. Ajo nuk vlen 90 milionë euro, as ajo, as ne që jemi deputetë. Ndërroni Albulena Haxhiun, se nuk vlen 90 milionë euro”, u shpreh ai.


“Janë mësu me Dejona Mihalin”, Guri – Thaçit: S’lejoj përmes votës time LVV t’i fsheh votat

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, në emisionin “Click” në RTV21 i reagoi deputetit të LVV-së, i cili po në këtë emision akuzoi liderin e LDK-së se po shantazhon deputetët e këtij subjekti politik në lidhje me votimin e fshehtë.

“E kuptoj traumën e deputetit, për arsye se këta e kanë në parti Dejona Mihalin dhe janë mësuar, e mendojnë që krejt partitë politike funksionojnë në mënyrë të tillë ku deputetët dirigjohen se çfarë të shkruajnë në statuset e tyre në Facebook. Absolutisht, unë nuk ndihem i shantazhuar”, tha ai.

Guri shtoi se vendimi për të bërë publike votën e deputetëve të LDK-së është për një arsye.

“Në asnjë lloj mënyre unë nuk pranoj që përmes votës time LVV t’i fsheh votat e marrëveshjes me Listën Serbe. Nesër të shkojnë të gjithë deputetët e Listës Serbe e të votojnë për Albulena Haxhiun, dhe pastaj këta të gjithë të thonë, sikur i kanë këto deklarata qesharake që i japin, ‘nuk i dihet, ndoshta edhe Paris Guri e ka votuar Albulena Haxhiun’”, u shpreh ai.


Guri i përgjigjet Thaçit: LDK-ja është siguresë për qeverinë

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, në emisionin “Click” në RTV21 iu përgjigj deputetit të LVV-së, Halil Thaçi, i cili paraprakisht, po në këtë emision, tha se LDK-ja nuk po e pranon ofertën e tyre për qeverisje pa PDK-në.

Guri tha se të njëjtën gjë për ta po e thotë edhe PDK-ja.

“PDK-ja po thotë se pa Vetëvendosjen nuk po duan (LDK-në) në qeverisje”, tha Guri, duke shtuar se, në bazë të sondazheve, propozimi i tyre për qeveri të unitetit po merr përkrahje edhe nga populli.

“Ka një konsensus të të gjitha palëve që LDK është një lloj sigurese për qeveri. Ne, natyrisht, nuk e kemi dëshirë me marrë PDK-në në qeverisje, e as Vetëvendosjen. Duke e parë paaftësinë e LVV-së, ne kemi propozuar një plan për dalje nga kriza – qeveri tranzitore”, u shpreh Guri./21Media

Back to top button