Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë të hënën se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

“Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”, tha ai.

BQK-ja njoftoi se Ismaili i bëri këto komente gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

Ambasadori amerikan i Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme.

Ismaili theksoi se vetëm në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë
bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

“Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftim.

Back to top button