Habitore: Në mesditë në sallën “1 Tetori” asnjë qytetar!? (Video)

Mund të kenë ndikuar ngurrimi për vaksinim me AstraZeneca, moti i nxehtë, pushimi i fundjavës…
Të dhënat si këto të sotmet pa asnjë viktimë e me numër njëshifror të të infektuarve, bënë që kohët e fundit të çlirohemi së paku nga një pjesë e ankthit, që deshëm a nuk deshëm ta pranojmë, na kishte pushtuar qysh nga shfaqja e koronavirusit në mars të vitit të kaluar.
Është thënë dhe stërthënë nga specialistë të fushës që vaksinimi kundër Covid- 19 është domosdoshmëri dhe e vetmja mënyrë që t’ia dalim mbanë në këtë betejë.
Mirëpo, mjerisht, në Kosovë është evident një ngurrim për t‘u vaksinuar me AstraZeneca.
Për të hequr cfarëdo mëdyshjeje ndër qytetarë, qeveritarët dhe vetë ministri i Shëndetësisë u vaksinuan pikërisht me astrazeneca.
Megjithëkëtë, kamera regjistroi në mesditën e sotme në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë se asnjë qytetar nuk u pa duke pritur për vaksinim.
Mbase mund të pandehet se edhe moti shumë i nxehtë, temperaturat tejet të larta dhe pushimi i fundjavës mund të kenë ndikuar në këtë pamje të zymtë në qendrën e vaksinimit “1 tetori”, pa asnjë qytetar!
Me fjalë të tjera, duket se ka hapësirë për ndërgjegjësim të mëtejshëm të qytetarëve se, siç e pohojnë profesionistët shëndetësorë, nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme që të ketë çfarëdo rezerve për cilindo vaksinë që është në përdorim në Kosovë./21Media
 
 

Back to top button