Haiti kërkon mbështetje ushtarake

Haiti ka kërkuar mbështetje ushtarake për të frenuar krizën e dhunës së bandave e cila ka ‘paralizuar’ vendin.
Qeveria Haitiane autorizoi kryeministrin Ariel Henry për të kërkuar ndihmë të armatosur për shkak të “rrezikut të një krize të madhe humanitare”.
Ndërkohë SHBA u bëri thirrje qytetarëve të saj në Haiti të largohen për shkak të pasigurisë.
Një grup bandash të fuqishme kanë bllokuar terminalin kryesor të karburantit të vendit që nga shtatori, duke dëmtuar furnizimet e tij bazë si uji dhe ushqimi.
Nuk është e qartë se kujt i është dërguar kërkesa për ndërhyrje dhe në çfarë forme do të jepej ndihma.
OKB-ja tha se nuk kishte marrë një kërkesë zyrtare nga qeveria e Haitit.
“Siç thamë, ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën e sigurisë në Haiti, ndikimin që ka tek populli Haitian, në aftësinë tonë për të bërë punën tonë, veçanërisht në sferën humanitare”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
SHBA po shqyrton gjithashtu një kërkesë për një korridor humanitar për të rivendosur shpërndarjen e karburantit brenda Haitit, sipas zëdhënësit të departamentit të shtetit, Vedant Patel.
Terminali i karburantit Varreux është kontrolluar dhe bllokuar nga një koalicion bandash të fuqishme që nga muaji i kaluar, i cili ka ndalur të gjithë vendin. Disa spitale janë mbyllur, ndërsa bizneset dhe shërbimet e transportit kanë pushuar së punuari në shenjë proteste./21Media

Back to top button