Haziri rrëfen sfidat dhe përplasjet politike gjatë kohës së Rugovës

(Lajm i përditësuar)
Haziri rrëfen sfidat dhe përplasjet politike gjatë kohës së Rugovës
Në ”Click”’ të RTV21 Lutfi Haziri nga LDK-ja ka rikujtuar periudhën e rezistencës politike gjatë okupimit duke theksuar se vetë Presidneti Ibrahim Rugova e kishte konceptuar dhe emërtuar atë si “rezistencë aktive”, për shkak të funksionimit paralel të institucioneve shqiptare në Kosovë. Ai vlerësoi se kjo formë e organizimit ishte thelbësore për mbijetesën politike dhe institucionale të shqiptarëve.
“Rezistencën politike aktive vetë Ibrahim Rugova e ka quajtur rezistencë aktive, sepse kemi funksionuar në mënyrë paralele karsh okupatorit dhe okupimit të vendit tonë ,” ka deklaruar Haziri.
Ai shtoi se gjatë asaj periudhe ka pasur edhe përplasje të brendshme politike, të cilat sipas tij nuk ishin të natyrshme, por të dirigjuara jashtë Prishtinës, duke u shndërruar më shumë në akuza ndaj lidershipit politik të kryeqytetit.
“Lufta e brendshme politike ka qenë e dirigjuar përtej Prishtinës, më shumë në formë akuzash ndaj lidershipit të Prishtinës, se gjoja ne e humbëm të drejtën për të hyrë në konferencë,” ka thënë ai.
Haziri theksoi se, pavarësisht këtyre akuzave, përfaqësimi institucional i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk kishte munguar.
“Ne arritëm të marrim pjesë në takimin e Oslos me Ahmet Krasniqin, ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes,” ka përfunduar Haiziri.
Haziri: Vizoni i Ibrahim Rugovës dhe organizimi institucional që përcaktoi fillet e rezistencës
Lutfi Haziri nga LDK-ja në ”Click” të RTV21 ka folur për rëndësinë e Presidnetit Ibrahim Rugovës dhe strukturave të ndërtuara gjatë viteve ’90, duke theksuar se organizimi politik dhe institucional i asaj kohe ishte i kujdesshëm, gjithëpërfshirës dhe pa dallime ideologjike.
Ai vlerësoi gjithashtu figurat kyçe të filleve të luftës, duke nënvizuar se përzgjedhja e tyre ishte bërë me përgjegjësi të lartë kombëtare.
“Zahir Pajaziti ka qenë në përgatitje ushtarake dhe i strukturuar në Kosovë. Nuk ka pasur dallime ideologjike dhe asnjë ndërhyrje nga askush. Më e rëndësishmja ka qenë që të ishte i zgjedhuri i konfirmuar, pa asnjë lidhje apo ndikim nga ish-Jugosllavia,” ka deklaruar Haziri.
Ai shtoi se “të gjitha autoritetet që kanë qenë të përfshira në institucionet e asaj kohe kanë qenë të përzgjedhura me kujdes”, duke e cilësuar këtë proces si themelin e organizimit politik dhe institucional, si dhe të” filleve të luftës”.
Roli i Ibrahim Rugovës në Ushtri”, Haziri flet për rëndësin e Rugovës në strukturat e ushtrisë
”Lutfi Haziri ka folur për organizimin e Ushtrisë dhe rolin e Presidentit Ibrahim Rugova në këtë proces. Ai nënvizoi se struktura është ndërtuar në përputhje me Kushtetutën e Kaqanikut dhe se zëvendësministrat, si Ramush Tahiri dhe Nik Gjeloshi, kanë luajtur role kyçe.
Nga fjalët e Hazirit, lë të kuptohet se Rugova ka pasur jo vetëm një rol politik, por edhe komandues në drejtimin dhe koordinimin e strukturave ushtarake.
“Ne në strukturën organizative kushtetuese të shtetit kemi punuar në përputhje me Kushtetutën e Kaqanikut. Ka pasur zëvendësministra që janë marrë jashtë, Ramush Tahiri tashmë i ndjerë, dhe Nik Gjeloshi, zëvendëskryeministër,” tha Haziri.
Haziri: Ibrahim Rugova, shpresa dhe besa e popullit shqiptar në kohët më të errëta
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në ”Click” të RTV21 në 20-vjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugovës, kujtoi rolin historik të tij në periudhën më të rëndë për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Ai theksoi se në kohën kur Kosova kishte humbur edhe ato pak të drejta që i kishin mbetur dhe kur shqiptarët në ish-Jugosllavi po përballeshin me errësirën më të thellë politike, Ibrahim Rugova doli si shpresë e madhe.
“Kur Kosova ishte në ditët më të rënda të saj dhe kishte humbur edhe ato pak të drejta që i kishte, në terrin më të madh politik për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi – jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare doli Ibrahim Rugova si shpresë dhe më pas u bë besë për popullin shqiptar,” ka deklaruar Haziri./RTV21/21Media