Hajdari: Nuk mora thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e Rezervave shtetërore ku të akuzuar janë ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Seanca dështoi pasi mungoi ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari dhe Feim Alaj, avokati i të akuzuarit, Irfan Lipoviza.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se për seancën e sotme nuk kishte pranuar ndonjë thirrje nga ana e Gjykatës.

Ajo njoftoi se në momentin e pranimit të thirrjes nga Gjykata do të jetë prezente në seancën e ardhme e shqyrtimit fillestar e cila u caktuar të mbahet më 13 janar 2026.

“Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore, lidhur çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, ka shkruar ajo.

Mirëpo nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë deklaruar se i dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 19.11.2025 përmes postës ka dorëzuar ftesën për të pandehuren R.H. për paraqitje në seancën fillestare të datës 10.12.2025, mirëpo Gjykata deri më tani nuk ka pranuar fletëkthesën për të vërtëtuar nëse e njëjta ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo”,  ka thënë  Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatë.

Back to top button