Hajdari: Po bëjmë shumë reforma për të lehtësuar të bërit biznes

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se janë duke bërë shumë reforma strukturore për të lehtësuar të bërit biznes, me politikat dhe ligjet e reja për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora dhe më gjerë në Kosovë, gjersa me analiza të mirëfillta kanë identifikuar potencialin e industrisë sonë, për më shumë vende pune dhe rritje të konkurrueshmërisë.
Ajo i bëri këto komente gjatë Panairit të Bizneseve Shqiptare në Austri, të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Në këtë panair, të pranishëm ishin ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, përfaqësues nga USAID, Caritas, Germin dhe përfaqësues të tjerë të rrjetit të bizneseve nga Evropa.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Hajdari u shpreh e lumtur që në emër të Kryeministrit Kurti, të gjendet pranë shumë bizneseve të suksesshme shqiptare, duke shtuar se vetëm të bashkuar arrijmë të kemi më shumë suksese.
Ministrja Hajdari shtoi se me bashkëpunim të mirë dhe duke plotësuar njëri tjetrin, sjellim vlerë të shtuar për produktet tona, për të qenë edhe më shumë pjesëmarrës në zinxhirin e vlerës në rajon dhe me gjerë.
“Diaspora jonë është pasuria më e vërtetë në zonat ku ajo banon, sepse sjell me vete jo vetëm mbështetjen financiare, por edhe kapitalin njerëzor me transferim të njohurive, kulturës, arkitekturës perëndimore dhe të tjera, prandaj janë forca lëvizëse e ekonomisë sonë. Gjatë mandatit tonë qeverisës, jemi duke bërë shumë reforma strukturore për të lehtësuar të bërit biznes, me politikat dhe ligjet e reja për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora dhe më gjerë në Kosovë, gjersa me analiza të mirëfillta kemi identifikuar potencialin e industrisë sonë, për më shumë vende pune dhe rritje të konkurrueshmërisë. Dhe, duke pasur parasysh lëvizjet e fundit globale, me nevojat e bizneseve për rilokimet e reja në Evropën Juglindore, studimet Ëiië nga Austria theksojnë se Republika e Kosovës ofron përparësi të mëdha për investime për bizneset nga Evropa dhe më gjerë” shtoi Ministrja Hajdari.
Ndër shumë përparësi të tjera, ajo theksoi potencialin e të rinjve tanë inovativ, me aftësi digjitale dhe kompetencën për prodhim në sektorë të ndryshëm industrialë, siç janë: sektori i drurit, industrisë metalike, industrisë jo metalike, platisikës, tekstilit, kimike, pijeve e ushqimit etj. Ajo riktheskoi se me proaktivitetin e bizneseve me kompetencë dhe me inteligjencë të lartë të resurseve njerëzore dhe me pasuritë tona natyrore, do të mund të prodhojmë produkte me vlerë të shtuar, për të qënë pjesë e zingjirit të vlerës në tregun global dhe për të ofruar punësim të denjë për të rinjtë tanë.
Në përfundim, ministrja Hajdari tha se gjersa diaspora ka ruajtur e ndihmuar gjithmonë shtetin tonë, ne jemi duke punuar për sundimin e ligjit në vendin tonë dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për të nxitur dhe mbrojtur investimet nga diaspora, me qëllim për të shfrytëzuar sa më shumë hyrjet e mëdha të remitencave nga diaspora.
Panairi i Bizneseve Shqiptare është ngjarje e rëndësishme e bizneseve shqiptare në Austri. Gjatë gjithë ditës në panair u prezantuan mbi 60 kompani shqiptare nga Austria dhe nga Kosova, para publikut shqiptar dhe austriak. Bizneset pjesëmarrëse janë nga sektorët e drurit, hekurit, pijeve dhe ushqimit, ndërtimtarisë, estetikës, teknologjisë informative, turizmit, kopshtarisë, sportit dhe sektorë tjerë shërbyes.
Me pjesëmarrje të bizneseve shqiptare me potencial eksportues nga Republika e Kosovës dhe Austria u mbajtën takime rrjetëzimi B2B duke rezultuar në marrëveshje për furnizim dhe eksport nga Kosova në Austri. Pjesëmarrja e kompanive kosovare u mbështet nga projekti MARDI me financim nga Caritas dhe zbatim nga KIESA dhe GERMIN.

Back to top button