Hajdari: Synojmë implementimin e plotë të MSA-së deri në përfundim të mandatit qeverisës

 

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari sot ka thënë që synojnë implementimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) deri në fund të mandatit qeverisës.

Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku është prezantuar programi qeverisës katërvjeçar i Qeverisë Kurti, Hajdari ka thënë se Kosova është shumë vonë sa i përket zbatimit të masave të MSA-së.

“Ne do të kemi për prioritet kyç implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit andaj ne synojmë që sivjet të zbatojmë plotësisht planin vjetor të këtij viti dhe po ashtu të vitit të kaluar. Ne jemi pak si vonë dhe mund të themi se jemi shumë vonë sa i përket masave të dakorduara të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, ne synojmë implementim të plotë të MSA-së deri në përfundim të mandatit. Për vëmendjen e juaj të dashur deputetë dhe të gjithë qytetarë që na përcillni, vitin e kaluar plani i zbatimit të MSA ishte zbatuar vetëm në përqindje të vogël, respektivisht nga 19 masa ishin adresuar vetëm pesë nga to, nga të cilët katër veprime janë adresuar në kohën e Qeverisë Kurti 1”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka shtuar se rruga për aplikim në Bashkim Evropian hapet vetëm pas përmbushjes së obligimeve të MSA-së.

“Vetëm pas përmbushjes së obligimeve të MSA, ne mund të hapim rrugën për aplikim për kandidim. Pra, nuk mund të themi se tani do të aplikojmë për kandidim në BE, sepse jemi shumë vonë në MSA, respektivisht me zbatimin e masave të dakorduara përmes planit të reformës ekonomike”, ka  deklaruar Hajdari.

Back to top button