Hajnat tentojnë t’ia vjedhin lopët, e plagosin me armë pronarin

Një person ka raportuar se disa të dyshuar kishin tentuar t’ia vidhnin lopët nga stalla, ndërsa pasi e kishin vërejtur kishin shtënë me armë në drejtim të tij dhe kishin ikur.

Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 02:00 në Majac të Podujevës.

Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “Vjedhje grabitqare në tentativë”.

“Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se kishte dëgjuar një zhurmë të kafshëve e cila vinte nga stalla e bagëtive. Kur viktima kishte dal në oborr, kishte vërejtur 3-4 persona të panjohur qe tentonin të vjedhin kafshët (lopët) nga stalla. Të dyshuarit kur kanë vërejtur viktimën kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe ishin larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor pasi në pjesën e abdomenit kishte pësuar një lëndim sipas të cilit ishte shkaktuar nga arma e zjarrit.

“Në vendin e ngjarjes, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja të armës së zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raport./21Media

Back to top button