Haki Misini dhe grupi “MAK”, historia që mbeti zë në kujtesën e Mitrovicës

Mitrovica ruan ende jehonën e zërit të tij. Një zë që dikur mbushte skenat, rrugët dhe shtëpitë e qytetit me muzikë. Haki Misini ishte më shumë se një këngëtar. Ishte një artist që u bë pjesë e kujtesës së një gjenerate, e që la gjurmë te të gjithë ata që e njohën.
Naracion
Mes tingujve të muzikës së grupit “MAK” dhe kujtimeve të miqve e bashkëpunëtorëve, jeton historia e një njeriu të thjeshtë, të afërt dhe gjithmonë me buzëqeshje. Por pas kësaj historie të mbushur me art dhe kujtime, fshihet edhe një natë që ndryshoi përgjithmonë fatin e tij.
Ishte 9 qershori i vitit 1999. Në ditën kur lufta në Kosovë po hynte në ditët e fundit, në ndërtesat e njohura si “Tre Rrokaqiejt”, në veri të Mitrovicës, forcat serbe morën me vete Haki Misinin dhe banorë të tjerë të kësaj zone. Ata nuk u kthyen më.
Ajo natë mbeti një nga plagët më të rënda për familjet e tyre dhe për qytetin e Mitrovicës. Sot, më shumë se dy dekada më vonë, rrëfimet e atyre që e njohën sjellin para nesh portretin e një artisti, të një fqinji dhe të një qytetari që vazhdon të jetojë në kujtesën e njerëzve.
Në mesin e tyre është edhe Emine Balaj, fqinja e Haki Misinit. Ajo e kujton atë si një njeri të thjeshtë, me zemër të madhe, të lidhur me njerëzit dhe me muzikën.
“Raportet i kemi pasur shumë të mira. Ka qenë një njeri i butë, i afërt, gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Bukuria, me fëmijët e vet. Çka me të thënë, nganjëherë më duket se është një ëndërr se ekzistojnë diku, por ata nuk ekzistojnë më në këtë botë reale. Hakiu ka qenë një njeri i cili ka qenë i dhënë pas muzikës. Ka qenë një muzikant që ka kënduar këngë të vjetra dhe këngë dashamirëse, shumë të mira, që e kanë kënaqur çdo vesh të njeriut që e ka dëgjuar Haki Misinin”, – tha Balaj.
Në kujtimin e saj, ai nuk është vetëm një emër. Është një prani që e mbushte lagjen me jetë, një njeri që lidhej me njerëzit përmes muzikës dhe thjeshtësisë së tij.
“Pavarësisht nëse është marrë me muzikë, ai ka qenë i afërt edhe me fqinjët, jo vetëm me ne, por edhe me ata që ia morën jetën me serbët. …. Ka qenë një kënaqësi kur e kanë parë Haki Misinin, sepse ai ka ditur vetëm të buzëqeshë. Po, Hakiu ka qenë fqinj shumë i mirë, ka qenë i afërt. Kemi pasur kontakte. Ai ka kënduar edhe në këtë pjesë të veriut të Mitrovicës, domethënë këtu mbi Shkollën e Mjekësisë ku është. Ka bërë muzikë. Kur ai këndonte, muzika dëgjohej dhe jehonte në të gjithë këtë pjesë të veriut, saqë besoj se dëgjohej deri në jug,” – tregoi ajo.
Në ditën kur në letër ishte nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës për ndërprerjen e luftës, në Mitrovicë nuk erdhi qetësia. Në rrëfimin e saj për KosovaPress, Emine Balaj e kujton atë mbrëmje si një çarje të papritur mes një dite me diell dhe një nate që u mbush me frikë, kur forca të armatosura hynë në ndërtesa banimi dhe nisën të nxirrnin burrat një nga një, mes tyre bashkëshortin e saj Luan Balaj dhe Haki Misinin.
Në kujtesën e saj, gjithçka fillon si një ditë e zakonshme që nuk paralajmëron asgjë.
“Në mesin e tyre e kanë marrë edhe burrin tim Luanin në moshën 39-vjeçare. Atë natë kanë ardhur forcat serbe, të cilat kanë qenë të përziera: paramilitarë, policë të rregullt, ushtarë dhe policë rezervistë…, Si kanë hyrë, na kanë kontrolluar njëherë. E kam pasur vajzën, e cila ishte 4-vjeçare, Taidën; e kanë lëshuar në tokë, më kanë kërkuar të holla edhe kur është afruar burri jem kanë thënë: “A ti je ai Luan Balaj?” dhe në atë moment e kanë marrë, me automatë dhe maska. Maska i kanë vendosur vetëm fqinjët që kanë jetuar këtu, në rrethin që i themi rruga e Kolashinit, ndërsa të tjerët që kanë qenë prej Serbisë, … Unë i kam pasur edhe dy djem, Liridonin dhe Edonin, të cilët kanë qenë tek Hakiu poshtë, dmth një kat më poshtë në të njëjtën ndërtesë. …. Atëherë i kam trokitur Bukurisë, gruas së Haki Misinit, dhe e kam pyetur turqisht: “Bukura, a janë djemtë dhe a është Hakia?” Ajo më tha se Hakiun e kanë marrë. Në dhomën tjetër kanë qenë dy fëmijët e mi, dy fëmijët e Hakiut, si dhe dy fëmijët e fqinjit, Bajrami dhe motra e tij”, tha ajo.
Sipas saj, procesi i mbledhjes së burrave në këtë lagje ka zgjatur një orë në tri ndërtesa.
“Në ndërtesën tonë i kanë marrë 5 veta: Luanin, Hakiun, Muharremin, një person invalid (të cilin sëmundja e kishte paralizuar) dhe Eminin. Katër persona i kanë marrë në ndërtesën e mesme dhe katër në ndërtesën e parë prej Suhodollit kur vjen. Gjithsej kanë qenë 14 veta, tre janë ende të zhdukur. Tupella së bashku me Bekimin, nipin, djalin e motrës së hasretit edhe një tjetër, ka qenë i ri, babi i dy vajzave. Ndërsa prej 14, tre prej tyre janë kthyer të gjallë. Fati i tyre ka qenë të mos vdesin nga serbët.”- tha ajo.
Ajo natë, sipas dëshmisë së saj, është gdhendur si një moment i frikës së papërshkrueshme. Në fillim nuk dihej çfarë po ndodhte; dukej sikur mund të rifillonte lufta, por në të vërtetë ishte fundi i saj i dhunshëm për shumë familje. Ajo përshkruan zhurmën e armëve, krismat dhe kaosin që e shoqëroi atë mbrëmje, një përjetim që ende sot i rikthehet në kujtesë.
“Ata kanë ardhur për t’i marrë. Kanë qenë të urdhëruar prej dikujt, sepse kishin një listë në dorë. .. në ditën e dytë menjëherë në vendin e ngjarjes ku i kanë çuar. Nuk kam parë asgjë, përveç dy ushtarëve me uniforma ushtarake në atë pozicion me fytyrë, që lëviznin këtë trup sepse ishin mbështetur në buzë të Ibrit. Dhe e kam parë një në bashqen e Oshlanëve, janë gati tek hekurudha e trenit, aty ka qenë i shtrirë një djalë i ri i veshur me trenerka Nike dhe patika. Është pa që ka qenë i ri sepse të gjithë dhëmbët në gojë i ka pasur, ai ka qenë i gjatë afro një metër e 90. Kam dëgjuar nga qytetarët që banojnë aty buzë Ibrit se ata i kanë ndarë në tri grupe: Hakiun, bashkëshortin tim dhe këtë grupin këtu. Në përjashtim të këtij të riu Eminit, nuk kanë qenë në grup të tyre. Kanë qenë gjashtë veta, 2 prej asaj ndërtesës dhe 4 prej kësaj ndërtese që i kanë ekzekutuar në pozitën ulur, si më kanë treguar, dhe është e vërtetë sepse atë e ka dëshmuar edhe ekspertiza që është bërë përmes ADN-së dhe është parë pamja e eshtrave. Janë ekzekutuar këtu pas kokës, ulur, afër disa tarabave, rrethoja të vjetra të drurit. Mirëpo ajo fqinja kur e kam pyetur më ka thënë se sa “bërtima ka shkuar, sa zëra është dëgjuar”, tregoi ajo.
Vdekja e Haki Misinit dhe Mehmet Tupellës u përjetua si humbje e rëndë nga të gjithë ata që i kishin njohur dhe kishin bashkëpunuar me ata në muzikë. Për bashkëpunëtorët e tyre, kjo nuk ishte vetëm ndarje fizike, por ndërprerje e një periudhe të gjatë pune dhe krijimtarie që kishte lënë gjurmë në skenën muzikore.
Në kujtimet e tij, Mentor Mripa e lidh këtë dhimbje edhe me këngën “Trigota”, ku disa nga emrat e lidhur me të kanë përfunduar më vonë si viktima të luftës, duke e bërë kujtimin edhe më të rëndë për ata që i kanë njohur nga afër.
“Ishte shumë e dhimbshme, ishte tmerrshme, sepse këta njerëz i kam njohur personalisht, ndërsa me Hakiun edhe kam kënduar një kohë, ku kemi qenë së bashku unë, pastaj Halil Mripa që ka qenë klaviaturisti ynë, është një kushëri imi, djali i axhës sime, dhe Hakim Misini. Në fillim të bëjmë muzikë, unë mësova shumë prej Hakiut, mësova në formën e këndimit dhe nuk më besohej, besomni mua, nuk më besohej që këta njerëz nuk do t’i takoj më. Këta njerëz Serbia ua mori padrejtësisht familjes dhe neve që i deshëm shumë,” – tregoi Mripa.
Balaj e vazhdon rrëfimin duke kujtuar momentin e rivarrimit në vitin 2004. Ajo thekson se pjesëmarrja e njerëzve ishte e madhe dhe atmosfera tepër emocionale.
“Por sot është një lehtësim për ne familjarët që e dimë se ku e kanë vendin. Kur shkojmë, e çmallemi pranë tyre. Kjo është një e mirë prej së keqes, sepse të paktën i kemi gjetur kufomat e tyre”- deklaroi ajo
Balaj e përshkruan Haki Misinin si një zë të veçantë që ka lënë gjurmë të thella te brezat që e kanë dëgjuar. Ajo kujton fillimet e adoleshencës së saj, kur muzika e tij ishte pjesë e përditshmërisë në shkollë, në ekranet televizive dhe në jetën kulturore të kohës. Sipas saj, këngët e Hakiut dhe grupit “MAK” dëgjoheshin kudo, në dyqane, në kaseta dhe në shtëpi, duke u bërë pjesë e kujtesës së përbashkët të qytetit dhe më gjerë.
“Muzika e Hakiut në Mitrovicë gjithkah nëpër dyqane është dëgjuar, sepse kanë qenë ato kasetat e vogla dhe ti ke mundur me dëgju sa herë ke dashur vetë. Por e kanë dashur sidomos mitrovicasit, besoj edhe mbarë Kosova edhe në diasporë, sepse ai ka kënduar tamam këngë shqiptare,”- përfundoi ajo.
Mentor Mripa thotë se kënga “Tri gota”, ka mbetur një nga këngët më të veçanta dhe më të dashura, si për të personalisht, ashtu edhe për familjen e Haki Misinit. Ai kujton se kjo këngë e ka shoqëruar shpesh në paraqitje dhe aktivitete artistike, duke e interpretuar me respekt dhe emocion të veçantë për trashëgiminë që përfaqëson.
“Kënga “Trigota” është kënga më e dashur e familjes së Haki Misinit, pra Urimit dhe të tjerëve. Kjo këngë është shkruar, pra, me tekst të Latif Berishës. Muzikën e ka kompozuar kompozitori Xhevdet Gashi, që ka qenë edhe klaviaturisti, në fakt, i grupit “Mak”, domethënë një nga themeluesit e grupit “Mak”. Do të thotë, kjo këngë është shkruar moti dhe është kënduar më së shumti prej tyre. Është një rok i butë, domethënë, sepse grupi “Mak” është marrë me përpunimin edhe të folkut, domethënë të muzikës sonë popullore, edhe të muzikës rok, të gjitha këto të inkorporuara në këtë grup. Domethënë ka qenë një prej grupeve më me ndikim dikur në vendin tonë“– tha ai.
Në rrëfimin e tij për Haki Misinin dhe veprimtarinë e tij, Mentor Mripa e sjell figurën e tij me një ndjesi nostalgjie dhe respekti të thellë, duke e përshkruar si një njeri me prani të veçantë në jetën kulturore dhe shoqërore të Mitrovicës.
Skender Sadiku, aktivist i shoqërisë civile, thotë se në Mitrovicë është në plan një nismë për krijimin e një obelisku në nderim të grupit “MAK”, si pjesë e ruajtjes së kujtesës kulturore të qytetit.
“Jo larg këtu ka simbolikë të madhe edhe tek obelisku i grupit “MAK”, në afërsi të ndërtesës ku për herë të fundit ka qenë vokalisti Haki Misini dhe tupanisti Mehmet Tupella. Pra, do të ketë simbolikë të madhe edhe në vendosjen e obeliskut. Ky park i vogël do të quhet edhe “Parku i Rrok e Rrollit” dhe do të jetë vendtakim ku do të mblidhen artistët, ku do të mblidhen muzikantët dhe, posaçërisht, ata që e dëgjojnë rock-un e mirë dhe rock-un mirëfilli shqiptar. Ironia e fatit është se jo larg nga këtu është edhe shtëpia e djegur e Latif Berishës, i cili në luftën e fundit më 24 mars, në fillimin e bombardimeve të NATO-s, është vrarë në pragun e shtëpisë. Dhe simbolikisht, ne do ta përcjellim atë në hitin e grupit “MAK”, “Tri Gota”, me këtë simbolikë ku do të vendosen tri gjëra, tri lule. Afër jemi që edhe parku në mënyrë simbolike të përcjellë edhe historinë e grupit “MAK”, – tha Sadiku.
Sadiku thotë se familjarët janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi përkujtimor, por se figura e Haki Misinit, Mehmet Tupellës dhe grupit “MAK” e tejkalon nivelin lokal dhe shtrihet më gjerë, duke u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe muzikore të vendit.
Nga gjashtë anëtarët e grupit “MAK“, Haki Misini – vokalisti dhe Mehmet Tupella – bateristi, u ekzekutuan nga forcat serbe në Mitrovicë gjatë luftës së fundit në Kosovë, së bashku me 14 civilë shqiptarë.
Ngjarja ndodhi vetëm disa orë para nënshkrimit të marrëveshjes për përfundimin e luftës në Kosovë, në një kohë kur vendi ndodhej në prag të ndryshimit historik, por ende i zhytur në pasiguri, frikë dhe tensionin e ditëve të fundit të konfliktit.
Grupi “MAK”, i udhëhequr nga Haki Misini, mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së muzikës rock në hapësirën shqiptare, si një formacion që la gjurmë në skenën kulturore dhe u bë simbol i një epoke që ndërthuri artin me realitetin e rëndë të kohës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?