Halitjaha për Thaçin: Jam i hidhërua me të sepse…

(Lajm i përditësuar)


Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së tha së është i hidhëruar me të akuzuarin Hashim Thaçin.

Këtë e tha me arsyetimin se Hashim Thaçi nuk e ka takuar asnjëherë pas lufte dëshmitarin përkundër kërkesës së disahershme të tij.

“Kam pritë me e taku shumë herë dhe jo një herë, por asnjëherë nuk kam arrit ta takojë. Këta që bëhen të mëdhaj, që bahen ministra, kryeministra, presidenta mbajnë shumë telefona, 2-3 telefona, shumë shoqërues, 2-3 shoqërues. I thu njërit ta takojë thotë ‘po po i them’, i thu tjetrit ‘po, po i them’ dhe kështu që nuk i thotë hiç apo edhe i thotë nuk kam kohë ta takoj. Asnjëherë qasje nuk kam pas dhe për atë nuk jam mirënjohës fare, jam shumë i hidherum pse nuk me ka taku asnjëherë”, tha dëshmitari Halitjaha.

Duke folur për dëshmitë e tij që kishte dhënë para trupit gjykues, dëshmitari e ripërseriti se Hashim Thaçin e ka parë vetëm dy herë gjatë kohës së luftës dhe njëri prej këtyre rasteve ishte në Zonën e Budakovës.

Ndërsa, për Rexhep Selimin, dëshmitari tha se nuk e kishte ditur që ka qenë inspektor i përgjithshëm atë kohë.

“Rexhën e kam njoftë në luftë kur ka ardh në Nishor në Zonën e Pashtrikut. E kam njoftë si Rexhë dhe ma vonë e kam kuptu që ka qenë inspektor”, tha Halitjaha.

Ai tha se edhe pse nuk e ka ditur që Selimi ka qenë inspektor, nuk e dinte as cila është përberja e stafit të tij.

“Selimin e kam pa në zonën time me dy ushtarë. Nuk e di sa ka qenë përbërja e inspektorit”, tha dëshmitari duke theksuar që nuk i kujtohet nëse e ka parë Selimin për herë të dytë gjatë asaj kohe.

Sadik Halitjaha tha se në kohën kur Kadri Vesei ishte shef i Zbulim-kundërzbulimit nuk kishte shkuar në zonën ku luftonte dëshmitari.

“Nuk u ardhë asnjëherë në nivel zonave as në nivel të njësive me të ulta. Ai ndoshta ka ardh por unë nuk e di”, tha dëshmitari Halitjaha.

Vlen të theksohet se me fillimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe tha se klientit të tij të iu mundësohet të flas me familjarët pasi sipas tij iu është refuzuar kontakti që 17 ditë.


Halitjaha: Ka pas më shumë se një person me nofkën “Luli” gjatë kohës së luftës

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se persona që kanë pasur nofkën “Luli” kanë qenë më shumë së një.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues përmes, gjyqtarit Christopher Barthe, Halitjaha tha se vetëm në zonën e tij kanë qenë më shumë se një person me nofkën “Luli”.

“Në zonën time ka pas Luli një e më shumë. Plus ka pas edhe në zonat e tjera me pseudonimin Luli”, tha Halitjaha

Dëshmitari tha se një person me nofkë të tillë nuk e din që ka pasur në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Halitjaha tha se persona me nofkën “Luli” ka pasur edhe në zonën e Pashtrikut, Zonën e Drenicës dhe në zonat e tjera.

“Të njëjtën nofkë ka pas edhe në zonë të Pashtrikut edhe në Drenicë me nofkën Luli. Nuk e di emrat se kush kanë qenë se nofkën e dinë po emrat jo”, tha dëshmitari Sadik Halitjaha.

Ndërsa në fillim të vitit 1999, dëshmitari tha se nuk e ka pa asnjëherë Kadri Veselin për çka edhe ka konkluduar se ndodhej jashtë Kosovës.

“Gjatë kësaj kohe nuk e kam pa z.Veseli dhe kam ardhë në përfundim se ai ndodhej jashtë Kosovës”, tha Halitjaha.

Për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari tha se ka qenë në Kleckë mirëpo ka lëvizu edhe në vende të tjera.

“Shtabi në Kleçkë, selia e Shtabit se anëtarët nuk kanë qenë. Ka lëvizë gjithmonë, ka qenë në Divjak, në Kleçkë se ka lëvizë shtabi në disa vende”, tha ai.
Vlen të theksohet se gjyqtari Fergal Gaynor për shkak të problemeve me transportin është i pranishëm në seancë përmes video-lidhjes e cila herë pas here po paraqet probleme teknike./BetimipërDrejtësi

Back to top button