Hamza: Qeverisja e ardhshme bëhet nga unë, preferoj koalicion me LDK, AAK dhe partnerë tjerë

(Lajm i përditësuar)
Hamza i uron fitoren Faton Pecit, “Do të bashkëpunoj pa dallim partie”
Kryetari i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 tha se e uron kryetarin e Mitroivcës, Faton Pecin për fitoren e tij dhe garantoi bashkëpunim pa dallim partie me komunat dhe institucionet lokale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për të gjithë qytetarët.
“Kush ka fituar, ia kam dorëzuar detyrën dhe i uroj sukses. Është mirë për qytetin. Kudo që jam dhe cilado pozicion të kem, besoj se në qeveri, pa dallim se kush udhëheq komunat, unë do të bashkëpunoj dhe do t’u jap përkrahje. Disa komuna kanë resurse të kufizuara për shkak të partive, prandaj bashkëpunimi është i rëndësishëm,” tha Hamza.
“Veprimet e Kurtit në veri”, Hamza: Ne kemi vendosur pika doganore që në vitin 2011
Kryetari i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 tha se PDK-ja ka bërë veprime në veri të vendit kohë më parë.
“Në veri kemi bërë veprime moti kemi ndërtuar shtëpi, kemi zhvilluar infrastrukturë dhe kemi vendosur pika doganore që në vitin 2011, ku kemi pasur probleme edhe atëherë. Në atë aksion ra hero Enver Zymeri. Pas veprimeve kemi pasur zgjedhje sipas ligjit të Kosovës,” tha Hamza, në pyetjen referuar se a do të shkojë në veri si Albin Kurti.
Hamza: Dialogu kërkon momentum të ri, jo marrëveshje që hap derën për diskutime të tjera
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve me SHBA-në për të gjitha fushat e politikës, duke folur për dialogun me Serbinë dhe nevojën për një qasje të re. Ai u shpreh se rezultatet e deritanishme dhe draft-marrëveshjet aktuale kanë elemente që duhet të adresohen, duke u përqendruar te respektimi i të drejtave të komuniteteve dhe integrimi në BE.
“Për ne, marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për të gjitha fushat. Dialogu nuk ka qenë kurrë temë e lehtë, as për qeveritë paraprake, as për qeverinë e fundit. E them me bindje se kemi dallime të shumta në program, por sa i përket dialogut, duhet të krijojmë një momentum të ri. Jam i bindur se të gjithë bashkë kemi përshtypjen se kemi nevojë për qartësi. Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje që respekton të gjitha të drejtat e komuniteteve, jo një marrëveshje që hap derën për diskutime të tjera. Është e nevojshme që të jemi anëtarë të BE-së për të pasur qartësi; përndryshe, me një shtet fqinj që ka këto biseda kemi probleme të mëdha. Aksioni në Bajnske, sulmi në Iber Lepenc, këto duhet të adresohen. Drafti aktual dhe marrëveshja e prezantuar kanë elemente që duhet të adresohen, dhe unë i kam ngritur këto edhe në Bruksel, edhe në Washington. Rezuluta 12-44 në një dokument të brendshëm të Kosovës nuk ka vendin aty, as arbitrazhi. Nëse e lë arbitrazhin, tregon mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë, ka elemente të tjera që duhet të bisedohen,” tha Hamza.
Hamza shpjegon pse nuk u bë koalicioni me Limajn, ”Limajn e kam mik, por…”
Kryetari i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 shpjegoi arsyet pse nuk u arrit një koalicion me Fatmir Limajn dhe partinë e tij, duke theksuar marrëdhënien personale të gjatë dhe kushtet e zgjedhjeve që penguan një bashkëpunim të drejtpërdrejtë.
“Limajn e kam mik, njihemi prej më shumë se 25 vitesh. Asnjëherë nuk kanë ndryshuar marrëdhëniet me të. Koha ka qenë e shkurtër për t’u përgatitur dhe për të kaluar të gjitha situatat që mund të kishin prodhuar një rezultat të duhur. Garojmë me parti të ndara, por pas përfundimit të zgjedhjeve jemi të hapur për bashkëpunim edhe me deputetët e NISMA-s,” tha Hamza.
Hamza i reagon Kurtit: Unë jam kryetar i PDK-së, atë ditë që nuk jam nuk do të rri në zyrë
Kryetari i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, iu përgjigj kritikave të Kurtit, duke theksuar se vendimet në parti dhe përgjatë periudhës së qeverisjes i merr ai personalisht, si kryetar i PDK-së.
“Sigurisht, mendoj që të gjithë ata që më njohin e dinë se vendimet i marr të peshuara. Për pozicionin që kam, jam vendimarrës – jam kryetari i PDK-së. Besoj se edhe në të kaluarën kam pasur përplasje me hierarkinë dhe me kolegët, por gjatë kësaj periudhe është dëshmuar se vendimet i marr unë, së bashku me kryesinë dhe strukturat e partisë, sepse kryetar jam unë. Atë ditë që nuk jam kryetar, nuk do të rri në zyrë,” shtoi Hamza.
Hamza: VV-ja është Kurti
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 tha se qeverisja e ardhshme duhet të sjellë rezultate konkrete për Kosovën dhe kritikoi Vetëvendosjen për mungesë arritjesh, duke theksuar se partia duhet të reformohet dhe të ndryshojë qasjen.
“Jam i bindur se do të kemi rezultate të mira për të qeverisur Kosovën. Vijat e kuqe janë tregu të dëmshëm – i shoh si mundësi për bisedime, por për shkak të mungesës së rezultateve, VV duhet të shkojë në opozitë, të reformohet dhe të ndryshojë qasje. Për mua, koalicioni bëhet me partitë tjera. Mendoj se VV-ja është Kurti – respekt për të – por partitë tjera kanë strukturë tjetër,” tha Hamza.
Hamza: Për t’u reformuar, VV duhet të shkojë në opozitë
Hamza: Qeverisja e ardhshme bëhet nga unë, preferoj koalicion me LDK, AAK dhe partnerë tjerë
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, tha se Vetëvendosja duhet të kalojë në opozitë për t’u reformuar, ndërsa shprehu bindjen se partitë aktualisht opozitare do të marrin përgjegjësinë për qeverisjen e ardhshme.
“Për t’u reformuar, këta duhet të shkojnë në opozitë. Jam i bindur se partitë tjera që kanë qenë në opozitë do të vijnë në pushtet. Besoj që po. Preferoj marrëveshje politike me LDK-në dhe partitë tjera, duke përjashtuar disa parti me të cilat nuk do të kem marrëveshje. Pres bashkëpunim me LDK-në, AAK-në dhe partitë tjera,” tha Hamza.
Hamza: Projekti i gazit amerikan është prioritet, kapacitetet tona energjetike janë të vjetruara
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 theksoi se projekti amerikan i gazit, që parashihet të vijë nga Maqedonia e Veriut, duhet të jetë prioritet për Kosovën, pasi vendi përballet me kapacitete energjetike të vjetruara dhe një hendek të madh mes prodhimit dhe konsumit.
“Projekti i gazit amerikan është prioritet dhe vjen nga Maqedonia e Veriut. Ne, bazuar në kapacitetet tona të vjetruara energjetike, nuk kemi kapacitete të mjaftueshme – kemi një diskrepancë të madhe mes kapaciteteve prodhuese dhe konsumit,” tha Hamza.
Ai shtoi se përfshirja e disa personave të tjerë në vendimmarrje energjetike, përfshirë edhe Vukhamoviçin, ngre pikëpyetje serioze.
“Edhe përfshirja e njerëzve si Vukhamoviçi në këto çështje është problematike. Nga vjen energjia, Kurti i di mirë të gjitha – sepse kapacitete tjera nuk ka,” u shpreh Hamza.
“As dije, as vizion, as rezultate”, Hamza me kritika për qeverinë Kurti për ngecje totale
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, kritikoi qeverinë Kurti, duke theksuar se mungesa e përgatitjes profesionale dhe vizionit ka prodhuar rezultate të pakta në sektorët kyç të shtetit.
“Ngulfatja e njerëzve që, përveç përkatësisë politike, u mungon dije, njohje dhe vizion për zhvillimin e shtetit, ka sjellë rezultate minimale. Çdo arritje e gëzoj, por në raport me mundësitë ka shumë pak rezultate. Në shëndetësi nuk ka përmirësim, nuk ka përmirësim në arsim, nuk ka investime kapitale dhe nuk janë përfunduar as projektet e nisura,” tha Hamza në ”Click” të RTV21.
Hamza: Kurti s’e di prej nga i merr statistikat, rritja ekonomike më e vogla në vite
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 kritikoi ashpër Albin Kurtin, duke theksuar se programi i PDK-së është i bazuar në llogari të sakta buxhetore dhe jo në premtime të pambuluara financiarisht.
“Programi ynë nuk është ‘fontanë dëshirash’, por një plan i mirë i kalkuluar. Buxheti e mban – sa më shumë ka rritje ekonomike, aq më shumë rritet buxheti. Rritja ekonomike e realizuar në vitet e kaluara është ndër më të ulëtat që ka ndodhur. Kurti nuk e di prej nga i ka marrë statistikat,” tha Hamza.
Hamza premton rritje të pagash: Nga 800 në 1200 euro, pensioni minimal 250 euro
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, deklaroi se me ardhjen e PDK-së në qeveri bizneset do të kenë mbështetje të madhe, ndërsa qytetarëve u premtoi rritje të të pagave dhe pensioneve qysh në muajt e parë të qeverisjes.
“Me PDK-në në qeveri, bizneset do të kenë përkrahje të madhe. Në muajt e parë të qeverisjes do t’i rrisim pagat. Nëse dikush e ka pagën 800 euro, me mua në pushtet paga do të jetë 1200 euro, madje do të ketë edhe paga më të larta. Përveç rritjes së pagave, do të ketë edhe rritje të pensioneve — pensioni më i ulët do të jetë 250 euro, duke i përfshirë të gjithë pensionistët,” tha Hamza në ”Click” të RTV21.
Hamza alarmon: Çmimet po rriten çdo ditë, qytetarët meritojnë qeveri që mban fjalën
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në emisionin “Click” të RTV21, tha se kërkon mbështetjen e qytetarëve për programin, vizionin dhe seriozitetin e angazhimeve të tij.
“Kërkoj votën e qytetarëve për programin, vizionin dhe atë që prezantoj e garantoj për të tashmen dhe të ardhmen. Tereni ka qenë pozitiv; kemi pasur rritje gjatë kësaj periudhe sepse qytetarët kanë reflektuar, dhe jam i bindur se do të kemi edhe më shumë rritje. Unë e mas mirë çdo fjalë para se ta them publikisht – atë që e them, e premtoj. Po ballafaqohemi me një rritje të madhe të çmimeve, të çdo produkti bazë: miellit, vezëve, qumështit, madje edhe energjisë elektrike, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetes. Edhe në të kaluarën kam premtuar dhe kam realizuar; këta kanë premtuar dhe nuk kanë realizuar,” u shpreh Hamza.
Hamza: Koha për reflektim edhe nga ata që kanë përçarë
Kryetari i PDK-së dhe njëherit kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në emisionin “Click” të RTV21, theksoi se politika në vend ka nevojë urgjente për reflektim dhe bashkim, duke kritikuar praktikat përçarëse.
“Edhe ata që kanë përçarë duhet të reflektojnë. Nuk kemi nevojë të polarizohemi, duke e sjellë gjendjen deri aty që nëse më përkrah mua je me mua, e nëse nuk më përkrah, nuk ke mbështetje. Jam i bindur se ky është drejtimi i duhur që i duhet Kosovës,” tha Hamza./RTV21/21Media