Hamza nga Mitrovica: Le të dëgjojë krejt Kosova se një erë e re po fryn

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, është zotuar se gjatë qeverisjes së tij Kosova do të forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Në tubimin elektoral në Mitrovicë, Hamza, premtoi se pas 9 shkurtit do t’i rrisin pagat në sektorin publik 50 për qind, ndërkaq premtoi se edhe barnat esenciale do të jenë falas.
Hamaza tha se kur ky qytet lëviz, krejt Kosova shkon përpara, andaj kërkoi që ta dëgjojë “krejt vendi se një erë e re e ndryshimit po fryn”, e cila sipas tij do të kulmojë me fitoren e PDK-së më 9 shkurt.
“Kosova që mundet më mirë ka nisur në Mitrovicë. Ky qytet ka qenë gjithmonë zemra e zhvillimit, përparimit dhe krenarisë kombëtare. Kur Kosova ka nevojë Mitrovica përgjigjet. Kur Mitrovica lëvizë krejt vendi shkon përpara. Sot nga qyteti i Isa Boletinit, Mehë Ukës le të dëgjojë krejt Kosova se një erë e re po fryn. Më 9 shkurt kjo frymë, energji e juaja do të shpërthejë në një fitore të madhe”, tha ai.
Kandidati i PDK-së për kryeministër renditi edhe premtimet elektorale, ku nënvizoi se epiqendra e transformimit do të jetë Mitrovica.
“Do ta gjallërojmë ekonominë dhe do të forcojmë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së dhe të gjitha vendet demokratike të botës. Për neve dhe çdo qytetar të Kosovës koha është tash. Çfarëdo të ndodhë pas 9 shkurti është se do të kemi një standard të ri në politikë. Një qeveri të re, e cila punon dhe mban fjalën. Prandaj qysh në muajt e parë të qeverisjes do t’i rrisim pagat në sektorin publik 50 për qind. Pensionet bazë do të rriten 70 për qind. Kategoritë e dala nga lufta, jo vetëm që do të marrin pensione më të larta, por do të kenë të drejtën të punojnë edhe në sektorin privat. Kjo rritje do të forcojë fuqinë blerëse dhe do të çojë përpara ekonominë tonë… Barnat esenciale do të jenë falas. Duhet ta dinë dhe ta themi se shëndetësia nuk është luks dhe është një e drejtë themelore e secilit. Ky është një zotim dhe premtim që ne do të mbajmë”, theksoi Hamza.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kosova ka nevojë për një kryeministër që i bashkon shqiptarët. Sipas tij, Hamza ka plan për Kosovën dhe i qëndron prapa premtimeve të tij.
“Kosova sot ka nevojë për një kryeministër që mund të rregullojë krejt ato që janë prishur në këto katër vjet e fundit. Sot Kosova ka nevojë për një kryeministër që na bashkon dhe nuk na ndan. Sot Kosova ka nevojë për një kryeministër që ka plan konkret. Kosova ka nevojë për një kryeministër që i qëndron prapa premtimeve të tij dhe realizon ato. Bedri Hamaza na bashkon. Bedri Hamza ka plan dhe Bedri Hamza e mban fjalën”, tha Krasniqi.
Kujtojmë, fushata për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka hyrë në javën e saj të tretë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?