Hamza takon Kasanof: U pajtuam për nevojën e bashkëpunimit, koordinimit

Gjatë vizitës në SHBA kryetari i Mitrovicës, njëherësh kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka vizituar udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, Alexander Kasanof.

Pas takimit, Hamza ka deklaruar se është më bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes, duke shtuar se “konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen”,

”Pata takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Department, me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, z. Alexander Kasanof. Jam tejet i nderuar që jam lideri i parë nga Ballkani që po e takoj z. Kasanof, prej kur ka ardhur në detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Ballkanin Perëndimor. Eksperienca unike e tij e bëri shumë të dobishëm diskutimin e sfidave në peizazhin e ri gjeopolitik botëror. Në takim ishte edhe Drejtoresha për Evropën Juglindore, znj. Colleen Hyland, e cila ka shërbyer në ambasadën amerikane në Kosovë dhe është një mbështetëse e madhe e jona”, ka shkruar Hamza.
Tutje Hamza ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka uruar Kasanof për postin e ri.

”Ne u pajtuam për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet tona me SHBA-në, ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e SHBA-së do të jetë përcaktuese. Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes. Takimin e përfundova me optimizëm që konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen, që të fokusohemi në rezultatet konkrete për qytetarët tanë dhe jo në krijim të dramave që nuk sjellin asgjë, pos izolim dhe injorim”, ka shkruar Hamza./21Media 

Back to top button