Hamza viziton Kooperativën Bujqësore “Krusha”, premton mbështetje

(Lajm i përditësuar)


Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar Kooperativën Bujqësore “Krusha”, ku u prit nga drejtuesja, Fahrie Hoti.

Pretendenti për të parin e ekzekutivit ju premtoi të punësuarve aty që do të kenë mbështetje bizneset si një nga pikat në programin e tij qeverisës.

Hamza u njoh me sfidat dhe nevojat e punës në këtë biznes.Në fund të vizitës, aktualisht kryetari i komunës së Mitrovicës, u kujdes të bëjë disa blerje nga turshitë e bëra gati nga gratë e punësuara aty.

“Gratë e Krushës janë simbol i guximit, punës dhe këmbënguljes. Nga kultivimi i produkteve bujqësore që e filluan për mbijetesë, ato arritën të ndërtojnë një biznes shumë të suksesshëm. Ne do ta zgjerojmë përkrahjen përmes subvencioneve dhe granteve investive për prodhimtarinë bujqësore, përpunimin, përmirësimin e teknologjisë dhe do të ndërtojmë qendra grumbulluese për ruajtjen, klasifikimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore. Edhe sigurimi i kulturave bujqësore është i domosdoshëm dhe do ta bëjmë! Puna e Fahrijes dhe e grave të Krushës nuk është thjesht një punë e zakonshme, por frymëzim për të gjithë ne”, ka shkruar Hamza.


Hamza: Rritja e pagave është detyrim i qeverisë sime

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka thënë se rritja e pagave është detyrim i qeverisë së tij në rast se del fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në një postim në Facebook, Hamza mes tjerash thotë se rritja e pagave është drejtësi, sepse mundëson që çdo qytetar të jetojë me dinjitet.

“Rritja e pagave është detyrim i qeverisë sime për kontributin që ju jepni për shoqërinë. Është molitim që secili nga ne të punojmë më mirë për vendin tonë. Është edhe drejtësi, sepse mundësojmë që çdo qytetar të jetojë me dinjitet”, ka thënë ai.

Back to top button