“Historia me gabime dhe pasaktësi”

U mbajt debati “Historia në tekstet shkollore”

“Tekstet shkollore të historisë për shkollat e mesme kanë gabime dhe pasaktësi të shumta, të cilat i mësojnë si të tilla nxënësit e klasave 10, 11 dhe 12. Me rishikimin e teksteve të historisë nuk është përmirësuar aq shumë, pasi ka shifra të rrumbullakuara të pa verifikuara”, u tha në një debat të organizuar sot nga Nisma për të Drejtat e Njeriut (YIHR) me temën “Historia në tekstet shkollore”.

Ramadan Sokoli nga Nisma për te Drejtat e Njeriut, ka paraqitur hulumtimin që kanë realizuar, duke thënë se librat e historisë për shkollat e mesme kanë shumë pasaktësi dhe gabime, të cilat u servohen nxënësve si të sakta.

Ai tha se në librin e klasës 11 kanë gjetur se për luftën e fundin është rrumbullakuar numri prej 15 mijë personave të vrarë, duke mos e argumentuar fare këtë shifër, as se ku është marrë.

“Kur flasim për luftën e fundit unë po ua lexoj disa shembuj, të cilët janë marrë nga libri i historisë. Vetëm gjatë muajve të bombardimeve të NATO-së ushtria serbe vrau mbi 15 mijë shqiptarë në mesin të cilëve kishte shumë fëmijë, gra e pleq. Do të thotë kjo informatë u servohet nxënësve të shkollave të mesme me një numër të rrumbullakuar 15 mijë shqiptarë viktima. Këtu nuk kemi as fusnotë që thotë se ky numër është marrë prej hulumtimi që është kryer nga dikush, apo është vënë në diskutimi si një çështje për t’u diskutuar, do të thotë merret si një fakt i vërtetë dhe një fakt që nxënësit nuk e diskutojnë. Çka mund të përmendim këtu është se numri 15 mijë nuk përmendet diku tjetër përpos librave shkollorë të historisë. Nga hulumtimet e bëra nga Fondi për të drejtën humanitare, ne kemi një numër tjetër, i cili është mbi 13 mijë viktima të luftës së fundit në Kosovë, prej tyre vet ëm 10 mijë janë shqiptarë, pjesa tjetër i takon komuniteteve jo shqiptare”, tha Sokoli.

Sipas tij, nga diskutimet që kanë pasur me nxënësit e shkollave të mesme, ata dinë fare pak për zhvillimet që kanë ndodhur në vitet e 90-ta në Kosovë. Krejt çka dinë, Sokoli tha se është lufta e fundit në Kosovë në vitin 1998-1999 dhe më pas edhe për shpalljen e pavarësisë.

Sipas këtyre teksteve shkollore, Sokoli theksoi se nxënësit e shkollave të mesme nuk dinë mbi organizimin e protestave gjatë viteve të 90-ta, si dhe nuk dinë as për rezistencën paqësore.

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Filozofisë, profesori Bujar Dugolli tha se edhe ai me studentët e tij të studimeve master, kanë hasur në shumë çështje diskutabile që duhet të përmirësohen në tekstet e historisë.

“Të gjeturat tona kanë qenë te vërtetësia e të dhënave historike, që ka mos vërtetësie, apo mos realitet që diçka ka ndodhur, tek origjinaliteti, sepse ne duhet shkruajmë tekste origjinale, sepse jemi shtet dhe duhet t’i kemi tekstet origjinale. Te objektiviteti që është temë e diskutimit shpesh edhe për çështje tjera, trajta, interpretimi, që shpesh ngjarjet historike janë të tilla dhe nuk ndryshojnë, por interpretimi nga historianët e ndërron komplet qasjen, gjuha e përdorur në tekste, ilustrimet se si përdorën dhe sa janë të vërteta ato të paraqitura në trajtën e duhur dhe shumë çështje tjera dhe pasaktësi që ne kemi vërejtur”, tha Dugolli.

Ai tha se Ministria e Arsimit nuk ka treguar seriozitet në përmirësimin e librave të historisë.

Ndërsa, Mrika Limani nga Instituti i Historisë, theksoi se ideja për rishikimin e teksteve të historisë ka lindur para disa viteve, kur Turqia ka kërkuar nga Kosova ta bëjë një rishikim të gjuhës në tekstet e historisë për gjuhën e përdorur gjatë sundimit osman.

Dren Terziqi nga Organizata e mësimdhënësve të historisë, theksoi se hartimi i teksteve shkollore është bërë në mënyrë të ngutshme, madje edhe nga mungesa e përvojës së hartuesve të tyre. Derisa, përdorimi i metodologjisë, sipas tij, është gabimi më i madh që bëhet.

Në vitin 2011 Turqia kishte bërë kërkesë tek institucionet e vendit për rishikimin e teksteve të Historisë për ta përmirësuar gjuhën e përdorur për sundimin osman në këto tekste, kërkesë kjo që kishte ngjallur reagime të shumta.

Back to top button