Hapet fabrika për lajthi dhe arra “Ko’Nuts”
Kjo është kompania e parë e përpunimit të lajthive dhe arrave në rajonin kosovar
Sot në Graçanicë është bërë inaugurimi i fabrikës së përpunimit të arrave dhe të lajthive ‘Ko’Nuts’, kompani aktualisht ka punësuar 13 punëtorë.
Projekti i themelimit të fabrikës Ko’Nuts është mbështetur nga Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat-PPSE dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.
Bashkëthemeluesi i Ko’Nuts, Betim Selmanaj, tha se kjo është kompania e parë e përpunimit të lajthive dhe arrave në rajonin kosovar. Ai tha se qëllimi i tyre është të zgjeroj aktivitetin biznesor në njësi të përpunimit të lajthive dhe të arrave.
Ai tha se duke e pas parasysh që në këtë kompani janë investuar rreth 300 mijë euro, parashikojnë shtim të hyrave pas një viti si dhe krijim të vendeve të reja të punës.
“Duke e përshtatur fabrikën si dhe duke blerë pajisjet e nevojshme për përpunim kompania ‘Selman’s Network’ parashikon shtim të hyrave menjëherë pas një viti me mbi 165 përqind, e gjithë kjo automatikisht përkthehet në hapjen e vendeve të reja të punës duke u bazuar në bilancin gjinor dhe komuniteteve në Kosovë. Kjo do i mundësoj kompanisë prodhimin e sasive të nevojshme për eksport, gjithashtu kjo është për herë të parë në Kosovë një fabrikë përpunimi”, tha Selmanaj.
Ndërsa, Stefan Butcher, nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se është shumë i nderuar që merr pjesë në inaugurimin e fabrikës për përpunimin e arrave dhe të lajthive. Po ashtu, ai tha se kjo kompani e jep shembullin më të mirë të zgjerimit të sektorit privat.
Menaxherja e projektit në PPSE, Sigrid Meijer, tha se qëllimi i tyre që kanë mbështetur themelimin e kësaj kompanie është që të krijojnë vende të reja të punës.
“Qëllimi ynë është që ne të krijojmë vende të reja të punës dhe shohim që sektori privat ka shumë rëndësi për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Fondi i mundësisë është një fond i cili përballet me rriskun e kompanive të cilat janë në këtë sektor dhe jemi të kënaqur të zhvillojmë këtë sektor”, tha ajo.
Projekti i themelimit të fabrikës Ko’Nuts është mbështetur nga Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat-PPSE dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.