Hapet rruga për fillimin e investimeve nëpër komuna në projektin e efiçiencës së energjisë

 

Sot në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) është nënshkruar marrëveshja ndërmjet të Agjencisë së Kosovës për Efiçencë të Energjisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë. Në ceremoninë e nënshkrimit i pranishëm ishte edhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Efiçienca e Energjisë konsiderohet nga Qeveria e Kosovës një komponentë thelbësore e planifikimit strategjik dhe ekonomik si dhe për zhvillimin e Kosovës, prandaj është përcaktuar të kontribuojë drejt arritjes së caqeve për EE, duke krijuar për qytetarët stimuj në kursimin e energjisë, por edhe për tregjet e hapura dhe aplikimin e bizneseve të reja për EE teknologjitë.

“Tanimë është funksionalizuar Fondi i Kosovës për Efiçencë të Energjisë sipas ligjit për Efiçencë të Energjisë, Kosova është shteti i parë ne rajon që themelon një mekanizëm financiar për masat e Efiçencës se Energjisë në të gjithë sektorët e konsumit të energjisë.”, informoi MEA.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, siç njoftohet, përmes Agjencisë se Kosovës për Efiçencë të Energjisë ka shprehur gatishmërinë që pakon e fundit për komunat ta zbatojë përmes Fondit të Kosovës për Efiçencë te Energjisë përmes kësaj marrëveshje, vlera e së cilës është 5 milionë euro.

Me qëllim për ta zgjeruar fushën e programit në bazë më të qëndrueshme me krijimin e Fondit të Kosovës për Efiçencë te Energjisë ristrukturimi i PKEEER do të këtë financim shtesë që do të kanalizojnë 10,37 milionë dollarë amerikanë në fondet e grantit të Instrumentit të BE-së për Para-Anëtarësim (IPA II prej 9.6 milionë euro në fushën e efiçencës së energjisë.

Nga ky fond, sipas Ministrisë, do të përfitojnë te gjitha komunat e Kosovës, në sektorin e Arsimit, Shëndetësisë, Administrativ dhe të tjera sektore dhe më e rëndësishmja është se do të krijojë një strukturë të përhershme institucionale si mekanizëm financiar që mund të vazhdojë me renovimin e ndërtesave publike dhe përfundimisht të zgjerohet në sektorin rezident, si p.sh. blloqe apartamentesh dhe shtëpi individuale, si dhe do te zgjerohet edhe në sektorin e privat të bizneseve.

Back to top button